Siri, kritikohet plani amerikan kundër ISIS

06/08/2015 00:00

Plani amerikan për të ndërtuar një forcë të moderuar për të luftuar ekstremistët e ISIS në Siri, është kritikuar nga njëri prej rebelëve i përfshirë në këtë program.

“Kapiteni” Ammar al Wawi ka thënë se SHBA-të dhe aleatët dështuan që t’i mbrojnë luftëtarët e tij, të njohur ndryshe si Divizioni i 30, në momentin kur ata u sulmuan në Siri javën e kaluar.

Të paktën pesë luftëtarë janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë rrëmbyer në përleshjen me Al-Nusran.

“Projekti është duke ecur më hapa shumë të ngadalshëm. Ata janë shprehur të gatshëm për të krijuar një ushtri me 15 mijë luftëtarë dhe të na pajisin me para’, armë dhe të na mbështesin nga ajri. Por, në të vërtetë, në gjashtë muaj vetëm 60 luftëtarë janë stërvitur. Nëse duhet kaq shumë kohë për kaq pak vetë, atëherë do të duhen dekada që të stërviten 15 mijë luftëtarë”, u shpreh ai.

Presidenti i SHBA-vë, Barack Obama njoftoi verën e kaluar planin e tij për të stërvitur 5 mijë luftëtarë në vit nga Suuni, kundërshtarët e ISIS, në mënyrë që t’i ndihmojnë në luftën kundër ekstremistëve.

Top Channel