Gjatë ndeshjes së vlefshme për turneun veror Gamper mes Barcelonës dhe Romës, u pa një skenë jo e zakonshme me protagonist Leo Messin. Ylli i skuadrës katalanase, në minutën e 34-t të ndeshjes, i vuri duart në fyt mbrojtësit të Romës, Yanga Mbiwa.
Në një aksion të ndaluar nga arbitri, Messi vazhdoi driblimin e tij ndaj lojtarit afrikan të Romës dhe ky i fundit i tha diçka argjentinasit, i cili reagoi duke përplasur kokën fillimisht me kundërshtarin e më pas duke i vënë duart në fyt.
Ishin lojtarët e tjerë të të dyja skuadrave që qetësuan situatën, ndërkohë që Messi dhe Yanga-Mbiwa u ndëshkuan me karton të verdhë.
Ndeshja mes Barcelonës dhe Romës përfundoi me rezultatin 3-0 për spanjollët. Golat e ndeshjes u shënuan nga Neymar, Messi dhe Rakitic.
Top Channel