Buxheti, Basha akuzon Ramën e Metën

06/08/2015 00:00

Lulzim Basha i kujtoi Edi Ramës se ditën që doli para gazetarëve për të analizuar 300 ditëshin e dytë të qeverisjes, ai foli për sukseset e ekonomisë në rritje, kur nuk ishin bërë as 24 orë që kryeministri kishte firmosur aktin normativ për shkurtimin drastik të buxhetit, për shkak të rënies së të ardhurave.

E vërteta, sipas Lulzim Bashës, është se të ardhurat nuk po mblidhen sepse qeveria po vjedh në tatime e në dogana. Në analizën e kreut të opozitës janë shkurtuar pjesë të buxhetit që ndihmonin zhvillimin dhe mbështesnin më të varfërit. Më të ndjeshme janë shkurtimet e investimeve në ujësjellës dhe kanalizime, në infrastrukturën rrugore, si dhe në blerjen e energjisë elektrike, për të cilën Lulzim Basha thekson se mungon që tani në të gjithë vendin dhe në zonat turistike.

Duke vënë në dukje edhe shkurtimet në fondin e investimeve të tjera, në arsim dhe për pagesën e papunësisë, Lulzim Basha thotë se shkurtimi i buxhetit është dëshmi e qeverisjes së korruptuar Rama-Meta.

Ajo që bie në sy në të dy postimet në Facebook të kreut të opozitës është se ai bën njësoj përgjegjës për situatën ekonomike kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta. Kjo ndodh në një kohë kur disa zëra të afërt me opozitën nuk përjashtojnë një bashkëpunim në të ardhmen me LSI-në, gjë që duket interesante për deputetin Genc Pollo, një nga bashkëpunëtorët e afërt me kryetarin e Partisë Demokratike.

Megjithatë, zyrtarisht, opozita po bën përpjekje për ta denoncuar kreun e LSI-së, njësoj si kryeministrin. Këtë gjë bëri në mbrëmje vonë të mërkurën edhe numri dy i partisë, Arben Ristani. Ai komentoi si ironike konstatimin kritik të kryeparlamentarit Ilir Meta se politika e taksave nuk po funksionon siç duhet dhe se kreu i LSI-së, sipas tij, është abuzuesi më i madh i fondeve publike.

Zgjidhja, sipas Arben Ristanit, është një qeveri e re, e ndershme dhe e përkushtuar. 

Top Channel