Drejtësia, gati ndryshimet kushtetuese. Xhafaj: Reforma nuk sakrifikohet për hir të konsensusit

06/08/2015 00:00

Për më shumë se 60 minuta, gazetarët zunë vendet e anëtarëve të komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, ku përballë qëndroi kryetari Fatmir Xhafaj, i cili informoi për ecurinë e deritanishme të procesit.

“Ndryshimi i gjendjes nuk pranon makiazh, por ndërhyrje kirurgjikale, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar e shëndoshur pjesën e shëndetshme të këtij sistemi. Reforma këtë synon të bëjë, duke u ndarë qartazi nga të paaftit të korruptuarit dhe të inkriminuarit”, tha kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj.

Që në ditën e parë të këtij komisioni, Fatmir Xhafaj tha se fjala konsensus ka qenë bashkudhëtare gjatë këtyre 8 muajve. Por, duket se edhe kjo e ka një kufi.

“Konsensusi për hir të konsensusit është i dëmshëm. Konsensusi duhet t’i shërbejë reformës dhe jo reforma të sakrifikohet për hir të konsensusit”, vijoi më tej Fatmir Xhafaj.

Në një kohë kur opozita u largua nga mbledhja e parë dhe e fundit e komisionit, Xhafaj dha këtë mesazh.

“Ne e kuptojmë shumë mirë rëndësinë e një bashkëpunimi të hapur dhe konkret pozitë-opozitë në këtë proces, si nevojë për të pasur një reformë të qëndrueshme në kohë dhë në vlera. Por, e rëndësishme është cilësia e këtij bashkëpunimi dhe jo bashkëpunimi vetëm për hir të bashkëpunimit. Kemi arkivuar dhe kemi parë të gjitha propozimet e tyre dhe sot mund t’iu deklaroj se, çfarë ata kanë thënë në tryezat e Reformës në Drejtësi, duke filluar nga tryeza e parë me Presidentin e Republikës, janë të shprehura qartazi për atë që lexon me vëmendje strategjinë”, theksoi Xhafaj.

Janë dy propozime për ndryshime kushtetuese – sqaroi Xhafaj, – që përfshijnë institucionin e Presidencës.

“Të dyja janë opsione të diskutueshme, por në rast se do të kemi një President, nga formula e zgjedhjes varen edhe kompetencat që do të ketë kreu i Shtetit. Nuk mund të thuhet se Presidenti do të zgjidhet me 50%+1 të votave, apo 71 vota, dhe do të kem kompetencat e një Presidenti të zgjedhur nga populli, sepse në këtë rast ndryshon shumë, është një mandat tjetër besimi dhe ndikimi në jetën politike e shoqërore të vendit. Nëse do të pranohet formula e zgjedhjes me 3/5-tat, Presidenti do të ketë më shumë kompetenca. Mbetet në vullnetin e politikës, e cila nuk do të jetë thjesht një notere, por do të duhet të ndajë secilën nga këto alternativa”, shpjegoi Fatmir Xhafaj.

Fatmir Xhafaj la të kuptohet se, votat e opozitës në miratimin e amendamenteve kushtetuese janë vendimtare, kur u pyet nga Top Channel se, ku do t’i sigurojë mazhoranca 93 votat.

“Opozita deri tani, për të qenë të qartë, në nivelin e saj më të lartë politik nuk e ka kundërshtuar ndonjëherë procesin dhe nuk ka qenë refraktare me të, të paktën deri tani. Opozita ka thënë që është absolutisht dakord për të bashkëpunuar në këtë proces, por e ka kushtëzuar atë me praninë ndërkombëtare; me kontributin, vlerësimin dhe certifikimin e tyre; dhe në momentin që do t’i ketë të gjitha këto, cili do të jetë argumenti që opozita apo mazhoranca do të tërhiqen nga votimi?”, tha Xhafaj, kryetar i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi.

Por a do të jetë e përfunduar reforma në fund të vjeshtës, siç ka deklaruar kryeministri Rama?

“Askush nuk ka thënë që reforma do të mbyllet në vjeshtë, apo në fund të këtij viti. Amendamentet kushtetuese, që janë edhe bazamenti i reformës, po, por bëhet fjalë për të shkruar jo pak, por mbi 40 ligje, të cilat nuk realizohen as për një, dy apo 3 muaj”, përfundoi Fatmir Xhafaj.

Top Channel