Tragjedia e fundit në Mesdhe, mbi 200 klandestinë besohen të mbytur

06/08/2015 00:00

Zbehen shpresat për të gjetur të mbijetuar në tragjedinë e fundit detare në Mesdhe, në të cilën përllogariten rreth 200 emigrantë të mbytur, teksa gjatë kësaj të enjteje anijet e shpëtimit janë sinjalizuar për t’u ardhur në ndihmë varkave të tjera me emigrantë në të njëjtën zonë.

Anije shpëtimi nga flotat detare të Italisë dhe Irlandës, por edhe nga agjencia humanitare “Mjekët pa Kufi” kanë shpëtuar mbi 370 emigrantë nga një anije e papërshtatshme për lundrim, që mendohej se mbante deri në 600 persona gjatë së mërkurës, bëri të ditur Roja Bregdetare italiane.

Ata kanë nxjerrë trupat e pajetë të 25 personave, por që prej kërkimeve gjatë natës nuk kanë gjetur më ndonjë të mbijetuar. Anijet italiane kanë vazhduar kërkimet në zonën detare edhe gjatë së enjtes, tha një zëdhënës i Rojes Bregdetare.

Raportet paraprake e kishin çuar në 700 numrin e pasagjerëve në peshkarexhën e mbipopulluar, por nga marrja në pyetje e të mbijetuarve, shumica e të cilëve sirianë që i largohen luftës civile në vendin e tyre, e reduktuan numrin e tyre, e megjithatë kjo shifër mbetet subjekt ndryshimi edhe në vazhdim.

Deti i qetë e pa dallgë është konsideruar si “kushti perfekt” nga trafikantët e klandestinëve, të cilët janë përpjekur të nisin sa më shumë mjete të papërshtatshme lundrimi përmes detit Mesdhe për të mbërritur në brigjet e Europës.

Sipas një fotoreporteri të “Reuters”, që gjendej mbi njërën prej anijeve të shpëtimit, mjetet e Rojes Bregdetare italiane kishin shpëtuar 381 persona, ndërsa një anije e Marinës detare italiane kishte shpëtuar 101, kurse 87 të tjerë u morën nga anija “Argos”.

Incidenti i së mërkurës ndodhi kur varka e peshkimit u përball me motin e keq, kur ishte larguar 25 kilometra nga brigjet libiane. Një telefonatë sinjalizuese mbërriti në zyrat e rojës bregdetare në Siçili dhe një nga anijet e para që mbërriti pranë vendit të ngjarjes ishte irlandezja “LE Niamh”. Por kur ajo dërgoi varkat e saj, emigrantët lëvizën në njërën anë të varkës së peshkimit duke shkaktuar përmbysjen e saj.

Top Channel