Emigrantët nuk dorëzohen, provojnë detin për të arritur Britaninë

06/08/2015 00:00

Emigrantët e stacionuar në Kalais të Francës, në vendin e quajtur Xhungël, mesa duket nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ëndrra e tyre, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund t’i vënë përpara autoritet franceze e ato britanike.

Pasi u përpoqën të kalonin në tunelin që të shpie në Britaninë e Madhe, protestat dhe përballjet me forcat e sigurisë tanimë e kanë drejtuar vëmendjen drejt asaj që mund të quhet tentativa e fundit.

Të martën në mbrëmje ata kanë ndjekur rrugën që të shpie në portin e Kalais, duke iu vënë pas kamionëve dhe prej andej me tragetet e linjës për të hyrë në Britani.

Sipas një të riu 21-vjeçar nga Afganistani, i njohur si Ahmed Mahmoudi, emigrantët tani më shumë se kurrë janë të gatshëm të provojnë çdo gjë.

“Nuk na intereson nëse vdesim. Thjesht duam që të shkojmë në Angli”, është shprehur ai për mediat britanike.

Sipas tij, të paktën 20 persona kanë arritur që në këtë mënyrë t’i shmangen kontrolleve të policisë dhe t’ia dalin për të shkuar atje.

Policia e ka vënë re me vonesë largimin, edhe pse në hyrje të portit janë montuar edhe kamera termike të cilat mesa duket nuk kanë arritur të zbulojnë emigrantët e fshehur nën kamionë.

Sipas një zëdhënësi në portin e Kalasit, e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e një greve të punonjësve të një kompanie në port, që ka shkaktuar vonesa dhe anulime itineraresh. Pikërisht ky ka qenë momenti që emigrantët kanë pritur për t’u futur në të.

Policia ka marrë masa duke shtuar forcat dhe ka nisur kontrolle të imtësishme, çka shkaktoi radhë kilometrike në hyrje të portit. Më pas ajo ka mundësuar edhe rrethimin e Xhunglës me forca të shumta, duke mos lënë njeri të dalë jashtë rrethimit.

Top Channel