1 vit nga embargoja ndaj Perëndimit, rusët të zemëruar

06/08/2015 00:00

U bë një vit tanimë që Moska zyrtare ka ndaluar importimin e produkteve që kanë Perëndimin si vend origjine.

E për ta bërë edhe më të egër nismën, kryeministri rus Dmitri Medvedev kërkoi ditë më parë që tani e tutje ushqimet me prejardhje nga Perëndimi të sekuestrohen në kufi dhe të digjen.

Për këtë është kërkuar edhe ndërtimi i furrava të posaçme dhe dokumentimi me video. Por si është tregu i Moskës një vit pas embargos?

Sipas “DW”, oferta në supermarketet e vendit është e madhe në artikuj si kosi, mocarela dhe proshuta. Ndryshimi i vetëm është se këto vijnë nga vetë Rusia ose Kaukazi. Vetëm në disa supermarkete gjen produkte perëndimore, por ato kanë çmime shumë të shtrenjta.

Njerëzit janë të zemëruar, shkruan “DW”, sepse çmimet e produkteve janë rritur në tërësi dhe cilësia lë për të dëshiruar e kur vjen puna tek kjo e fundit, mjafton të përmendet që në vend të gjalpit përdoret vaj palme dhe djathi nuk i afrohet shijes që ishin mësuar deri më sot.

Por, jo të gjithë ankohen për embargon. Në Moskë bëhen edhe fushata promovuese të produkteve vendase ku vajza të lyera me ngjyrat e flamurit dalin në supermarkete dhe produkteve të huaja i vënë pulla ngjitëse ku shkruhet: “Ky është produkt i sanksioneve”.

Një i ri madje u shpreh: “Përse duhet të hamë diçka nga jashtë, kur kemi produktet vendore. Vendi ynë është shumë i madh, ne mund të ushqehemi vetë. Nëse tek ne ka ushqime nga jashtë, si do të shiten atëherë gjërat tona?”.

Por nuk mjafton me kaq. Në një artikull të mediave ruse citohet ministri i Agrikulturës të thotë se, po punohet mbi një draft për ta zgjeruar listën e vendeve të sanksioneve edhe me 7 të tjera, ndër të cilat edhe vendi ynë, Shqipëria.

Se kur do miratohet ky draft nuk ka një date të caktuar, por sipas portalit RIA Novosti të Moskes dokumenti, që do t’i paraqitet presidentit Putin, ka shumë gjasa të miratohet.

Europa ndërkohë po e vuan pjesën e sanksionve të vëna nga Rusia për produktet e saj. Rusia e vendosi embargon si përgjigjë ndaj sanksioneve të vendeve të Evropes, Amerikes, Kanadase dhe Australisë gushtin e shkuar dhe e ka zgjeruar afatin deri në 5 gusht 2016.

Produktet që ndalohen të futen në vend janë mishi dhe nënproduktet e tij, peshku, perimet dhe produktet e bulmetit.

Top Channel