Veliaj: Subjektet, 1 javë kohë për lirimin e hapësirave publike

06/08/2015 00:00

Lokalet që kanë nxjerrë tavolinat në trotuar apo në rrugë, ata që kanë zënë vendparkim me blloqe betoni apo vazo lulesh, si dhe hapësira pranë stadiumit “Dinamo”, e cila është zënë me makina për shitje kanë afat deri në fund të javës tjetër.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi të enjten se lirimi i hapësirave publike do të nisë nga njësia numër 5, ku dhe prezantoi administratoren Violeta Kile.

“Është për turp që zona më e pushtuar nga territori është njësia 5, duke filluar nga lokalet e Bllokut, ku mirë që zihet trotuari, por tani zihet edhe një korsi e rrugës. Të gjitha lokalet, nga Blloku tek Komuna e Parisit e deri në çdo cep tjetër, kanë një javë kohë që të zmbrapsen aty ku e kërkon ligji. Javën tjetër nuk do të ketë asnjë tolerancë. E gjetëm në shesh, do të konfiskohet menjëherë. Gjithashtu, parkimi i zënë me makina të përdorura që shiten tek stadiumi “Dinamo” ka kohë deri javën tjetër, pastaj le t’i çojnë makinat e t’i shesin ku të duan”, tha Veliaj.

Veliaj vizitoi edhe kopshtin numër 42, ngjitur me njësinë 5, për të parë nëse është gati për të pritur vogëlushët në shtator. Ndërkohë, i pyetur nëse do të mbajë premtimin për banesat sociale, ai tha se po verifikohen listat.

“Sot kemi bërë disa verifikime dhe na rezulton historia e 2013-s, kur po e njëjta parti la pushtetin. Kushërinj, nipa, mbesa e zyrtarë që marrin banesa sociale. Unë këtë nuk do ta toleroj. Do shpërndaj banesa sociale vetëm për ata që i meritojnë. Turp për ata që nuk e bënë këtë në 4 vjet dhe që sot nuk kanë asnjë të drejtë të bërtasin”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit premtoi edhe fillimin e dhënies së kredive të buta, por kjo do të ndodhë në një kohë të mëvonshme, pasi  buxheti i bashkisë në këto momente nuk premton për pagesat e inetresave të kredive të buta.

Top Channel