Halimi: Do paraqesim variantet tona për dokumentin analitik dhe atë strategjik

06/08/2015 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, reagoi pas deklaratave të Fatmir Xhafës për reformën në drejtësi, duke deklaruar se opozita kërkon “që reforma në drejtësi të jetë tërësore, jo e fragmentuar, transparente dhe gjithëpërfshirëse”.

“Jemi në këtë proces të reformës më të vendosur se kurrë, jo për t’i bërë makiazh drejtesisë së kapur nga mazhoranca, as për të qenë fasadë e një strategjie kapjeje politike të mëtejshme të sistemit, por jemi aty pa protoganizëm politik me qëllimin që bashkë me garancinë dhe qëndrimin syçelët të partnerëve ndërkombëtarë, të japim një impakt konkret që reforma të bëhet tërësore dhe të udhehiqet nga standardet dhe ekspertiza ndërkombëtare dhe kapja politike e sistemit të drejtesisë të ndalet”, ka deklaruar Halimi.

Ai ka vlerësuar se, vetëm një proces i përbashkët dhe me trasparence do të jetë garant për një reformë konsensuale dhe të suksesshme.

“Çdo produkt i komisionit të reformës që nuk do të përfshinte kontributin e opozitës do të ishte shkatërrues për konsesusin dhe po aq për suksesin dhe jetëgjatësinë e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit”, ka thënë Halimi.

Ai ka bërë me dije se, për të dy dokumentet e prezantuara sot nga përfaqesusi politik i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, opozita do të paraqesë në fillim të sesionit të ri paralamentar variantin e vet.

“Në mënyrë që analiza të mos fshehë asnjë të metë të sistemit në këto 16 vitet e fundit, siç ishte fshehja tërësore e asaj që ka ndodhur në periudhën 1999-2005, kur u bë kapja më flagrante e drejtësisë nga politika dhe shkatërrimi më vrastar i pavarësisë së drejtësisë”, ka nënvizuar Halimi.

Ai ka shtuar se, “të dyja këto dokumenta, vetëm pasi të përfshijnë edhe impaktin e opozitës duhet t’i kalojnë Komisionit të Venecias për opinionin e tij të pazëvëndesueshëm”.

Top Channel