TEC-i “Kosova A”, Mustafa: Presim planin financiar të gjermanëve të “Bilfinger”

06/08/2015 00:00

Interesimi i ndërmarrjes ndërtimore gjermane “Bilfinger” për rifunksionalizimin e termocentralit “Kosova A” duket se ka përplasur Qeverinë e Kosovës me politikat e Bashkimit Europian, sipas të cilave ky termocentral parashikohet të mbyllet deri në vitin 2017.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se, Qeveria e tij ende nuk ka një vendim përfundimtar, pasi nevojitet pajtimi i BE-së dhe i Kuvendit të Kosovës.

“Ende nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar. Në programin tonë qeverisës e kemi lënë mundësinë, që kapacitetet e ‘Kosova A’ ose të shkojnë në likujdim në fund të vitit 2017, ose nëse gjendet mundësia, të bëhen investime. Por, për ato investime nevojiten dy pajtime: ai i BE-së, që ne të mund të shfrytëzojmë edhe kapacitetet shtesë të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike, sepse ne e kemi pajtimin për ‘Kosovën e re’; gjithashtu duhet që edhe Kuvendi ynë të marrë vendime lidhur me politikat tona zhvillimore, për arsye se shfrytëzimi i thëngjillit për energji elektrike është një burim, i cili është nën kontrollin e politikave të BE-së”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës është në pritje të planit financiar nga ndërmarrja “Bilfinger”, pasi për këtë kanë rënë dakord gjatë vizitës së kryeministrit Mustafa në Gjermani. Kostoja totale e investimit, sipas kryeministrit kosovar, është rreth 1 miliard euro. Lidhur me investimet e tjera, të premtuara nga pala gjermane, që pritet të vijnë në vjeshtën e këtij viti, ai tha se në fund të shtatorit do të zhvillojë një vizitë për këtë qëllim në landin e Baden Ëyrtembergut dhe Bayernit.

“Ne kemi biseduar me përfaqësuesit e bordit dhe kemi thënë se, presim që kompania të na ofrojë konstruksionin financiar sesi do të financohet ndërtimi i ‘Kosova A’. Ata kanë premtuar se do ta bëjnë, por ende nuk e ka bërë, sepse kompania ‘Bilfinger’ është kompani, e cila merret me ndërtimin e kapaciteteve, por jo edhe me financimin e tyre. Ne, në këtë moment na mungon financimi, i cili llogaritet të na kushtojë 1 miliard euro; përkatësisht është mes 850 milionë deri në 900 milionë euro; dhe duhet ta dimë se kush është investitori i gatshëm dhe mbi çfarë raportesh do të bëhet investimi, mbi partneritetin publik-privat, ose krejtësisht publik apo tërësisht privat. Ne do të ulemi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe do të vazhdojmë negociatat me këtë kompani”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ka qenë Kancelarja Angela Merkel, e cila pas takimit me kryeministrin Mustafa në Berlin tha se, Gjermania synon të jetë përkrahëse e prodhimit të energjisë në Kosovë. “Kosova A” ka kapacitet prodhues rreth 400 megavat në orë energji nga qymyri, por për shkak të ndotjes së madhe të ambientit është planifikuar të mbyllet dhe paralelisht të bëhet ngritja e kapaciteteve të reja deri në 600 megavat.

Edhe kjo çështje – sipas kryeministrit Mustafa, – është ende në tavolinë diskutimi me Bankën Botërore. Konsiderohet që Kosova është vendi i katërt në botë me rezerva të thëngjillit, prej 12 miliardë tonelatash gjithsej.

Top Channel