Gjykata lë në burg autorin e vrasjes së mbetur në tentativë

06/08/2015 00:00

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të konsideruar të ligjshëm arrestimin në flagrancë Juljan Shora, i dyshuar për veprën penale të “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje” e “kultivim të bimëve narkotike”, si edhe të fejuarës së tij, shtetases R. Toma, e dyshuar për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Në përfundim të seancës për vlerësimin e arrestit, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Julian Shoren dhe “detyrim paraqitjeje” për të fejuarën e tij.

Të dy këta shtetas u prangosën ditën e mërkurë nga Policia e Tiranës, që i akuzon ata për planfikimin e një vrasjeje me minë të telekomanduar.

Sipas policisë, Julian Shorja po përgatiste një minë me telekomandë për llogari të shtetasit me inicialet Sh.P. Ky i fundit, në bashkëpunim me shtetasin M.A., do ta përdornin këtë lëndë për eleminimin e shënjestrës së tyre.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasit Sh.P. dhe M.A., ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në banesën e shtetasit Julian Shorja dy kapsolla detonatorë, municione luftarake dhe lëndë narkotike e dyshuar hashash.

Top Channel