Rusi, zemërim masiv ndaj “krematoriumit ushqimor”. Rikthehen kujtimet e urisë “sovjetike”

06/08/2015 00:00

Planet e qeverisë ruse për shkatërrimin masiv të ushqimeve të importuara nga Perëndimi, që ndalohen të futen në tregun rus, kanë provokuar një zemërim të thellë në një vend ku normat e varfërisë janë duke u rritur me shpejtësi dhe në mendjen e gjithsecilit mbeten ende kujtimet e urisë së periudhës sovjetike.

Edhe disa aleatë të Kremlinit kanë shfaqur tronditjen dhe shokun e tyre nga ideja e një “krematoriumi ushqimor”, kurse një prift ortodoks e ka denoncuar këtë fushatë – e cila nisi që nga e enjtja, – si të çmendur dhe mëkatare”. Gjithsesi, autoritetet janë të vendosura të vijojnë me shkatërrimin e importeve të paligjshme, të cilat ata vetë i quajnë si “një kërcënim ndaj sigurisë së vendit”.

Televizioni shtetëror rus shfaqi pamjet e një “mali” të vogël me djath të importuar ilegalisht nga Europa, që po shkatërrohej me buldozer gjatë ditës së sotme, ndërkohë që edhe përpara se të niste zyrtarisht kjo fushatë, disa punëtorë të zellshëm hodhën kuti me proshuta europiane në një makineri për shkatërrimin plehërash.

Moska ndaloi importet e pjesës më të madhe të ushqimeve perëndimore gjatë vitit të kaluar, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të vendosura prej Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera aleate të tyre për shkak të ndikimit të saj në krizën e Ukrainës. Por, tashmë shumë shtetas rusë thonë se qeveria e ka humbur shikimin, sidomos ndaj vuajtjeve të përditshme me të cilat përballen qytetarët e zakonshëm.

Më shumë se 267 mijë persona kanë mbështetur një peticion online në faqen ndërkombëtare të internetit “Change.org”, e cila merret me të tilla fushata, duke i bërë thirrje Putinit të kthejë mbrapsht vendimin e tij dhe t’u japë ushqime njerëzve në nevojë.

“Sanksionet kanë çuar në një rritje masive të çmimeve të shportës nëpër marketet ruse. Pensionistët rusë, veteranët, familjet e mëdha në numër, njerëzit e pamundur dhe me aftësi të kufizuara, por edhe grupe të tjera shoqërore në nevojë janë detyruar të shtrëngojnë konsumin e përditshëm, madje edhe deri në ekstrem duke u prekur nga uria”, thuhet në peticion. “Nëse këto produkte janë thjesht për t’u konsumuar, atëherë përse i shkatërroni?”.

E ndërsa inflacioni vjetor i çmimeve të ushqimeve është rritur me mbi 20%, indinjata e popullit rus është thelluar edhe më shumë nga disa raportime të mediave vendase se, ministri i Agrikulturës ka shpallur një tender për të blerë “krematorë të lëvizshëm ushqimesh” për të përshpejtuar procesin e shkatërrimit të importeve të paligjshme. Një gjë të tillë, vetë ministri Alexander Tkachev refuzoi ta pranonte apo refuzonte gjatë së mërkurës.

Top Channel