Deti i Kinës Lindore, Kerry lëshon akuza të ashpra ndaj Kinës: Nuk pranojmë kufizime lëvizjeje

06/08/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry akuzoi këtë të enjte Kinën se po vendoste kufizime të lundrimeve dhe fluturimeve ajrore në ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore, pavarësisht se kishte ofruar garanci se lëvizje të tilla nuk do të pengoheshin.

Duke folur gjatë një takimi rajonal në Kuala Lumpur, që është dominuar kryesisht nga çështja e detit të Kinës Jugore, Kerry tha se ndërtimi nga Kina i objekteve dhe pajisjeve “për qëllime ushtarake” në ishujt e krijuar nga dora e njeriut ka rritur tensionet dhe rrezikon “militarizimin” e tyre edhe nga shtetet e tjera që kanë pretendime ndaj tyre.

Kritika e ashpër e Kerryt ndaj Pekinit, përpara homologut të tij kinez Wang Yi, pritet ta ngrejë më lart çështjen e detit të Kinës Jugore në axhendë, veçanërisht kur Presidenti kinez, Xi Jinping, të vizitojë Uashingtonin gjatë muajit të ardhshëm, bëjnë të ditur disa ekspertë.

“Liritë e lundrimit dhe fluturimeve ajrore janë mes shtyllave thelbësore të ligjit ndërkombëtar detar”, tha Kerry përpara samitit të vendeve të Azisë Juglindore, ku merrnin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit. “Pavarësisht garancive që këto liri do të respektoheshin, kemi parë paralajmërime të lëshuara dhe përpjekje për kufizime gjatë muajve të fundit”, tha Kerry.

“Më lejoni të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë asnjë kufizim të lirisë së lundrimit dhe fluturimeve ajrore, apo përdorime të tjera të paligjshme të detit”.

Kina ka paralajmëruar vazhdimisht avionët luftarakë të Filipineve për të qëndruar larg ishujve artificialë në arkipelagun “Spratly” të detit të Kinës Jugore, siç janë ankuar shpesh zyrtarë ushtarakë filipinas.

Marina kineze ka lëshuar gjithashtu 8 paralajmërime ndaj ekuipazhit të një avioni amerikan survejimi “P8-A Poseidon”, kur ky i fundit zhvilloi fluturime ajrore në zonën në fjalë gjatë muajit maj, sipas CNN, pjesëtarë të të cilit gjendeshin në bordin e avionit amerikan.

Kina pretendon ndikimin e saj në shumicën e detit të Kinës Jugore, përmes të cilit kryhen në vit rreth 5 trilionë (bilionë sipas sistemit francez) dollarë tregti mallrash që transportohen me anije. Filipinet, Vietnami, Malajzia, Taivani dhe Bruneit kanë gjithashtu pretendime në këtë det, pretendime që mbivendosen ndaj njëra-tjetrës.

Ende nuk ka asnjë reagim nga zyrtarët kinezë për kritikat e ashpra të Sekretarit Kerry, ndoshta disa prej më të fortave të lëshuara prej tij mbi këtë çështje.

Top Channel