Kosovë, Mustafa njofton rritjen e investimeve të huaja. Bajrami: Të dhënat, pranë MTI-së

06/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mbajti të enjten një konferencë për media, për të treguar se investimet e huaja në Kosovë janë rritur.

Sipas kryeministrit kosovar bëhet fjalë për 158 milionë euro investime nga jashtë gjithsej, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Kjo shifër është 7 milionë euro më shumë sesa investimet e huaja për gjithë vitin 2014.

“E vlerësojmë veçmas faktin se, gjatë kësaj periudhe kemi pasur një rritje të investimeve nga jashtë. Përkatësisht në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e jashtme kanë arritur gati 160 milionë euro, ose saktësisht 158 milionë euro për 5 muaj. Ndërkaq, për 5 muaj të vitit të kaluar kanë qenë 29 milionë, ose për tërë vitin e kaluar kanë qenë 151 milionë, që flet se vetëm për 5 muaj kemi më shumë investime të jashtme, sesa kemi pasur për tërë vitin e kaluar. Më gëzon fakti po ashtu, që kemi edhe një numër shumë më të madh të firmave me pronarë të huaj, të cilat janë regjistruar në Kosovë gjatë këtyre 6 muajve. Përkatësisht janë regjistruar 211 biznese me pronarë të huaj, karshi 80 bizneseve sa kanë qenë për të njëjtën periudhë në vitin 2014”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Mustafa dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, nuk prezantuan para gazetarëve detaje të tjera të kompanive të huaja, aktivitetin ekonomik, apo shifra të të punësuarve. Ndërsa ministrja Bajrami udhëzoi gazetarët, që t’i drejtohen Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, kryeministri Mustafa përmendi nënshkrimin e kontratës për Brezovicën me konsorciumin francez, e cila parashikon hapjen e 3000 vendeve të reja pune.

“Mos të mbajë dikush shpresë, që për 6 muaj apo 1 vit munden të punësohen 100 mijë veta. Kjo do të thotë se zhvillimi ekonomik është një proces i vazhdueshëm, nuk është vetëm një akt që ndodh dhe gjithçka merr fund. Asnjë qeveri nuk mundet të thotë në momentin që merr mandatin, se me ta marrë atë themeloi 1 mijë firma private edhe punësoi 100 mijë veta”, tha Isa Mustafa.

“Të dhënat merrini në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, pranë MTI-së”, deklaroi Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Top Channel kërkoi qasje në listën e këtyre bizneseve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, por zyrtarët e saj nuk kanë kthyer ende përgjigje.

Një ditë më parë, Agjencia kosovare e Statistikave publikoi një raport, sipas të cilit numri i bizneseve të reja në përgjithësi ka shënuar rënie, në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa numri i madh i bizneseve të reja, të hapura sipas Agjencisë së Statistikave, kanë si aktivitet ekonomik tregtinë, me jo më shumë se 4 të punësuar.

Top Channel