Rrugëtimi i Kuqezinjve në renditjen e FIFA-s

06/08/2015 00:00

Një vit më parë kombëtarja shqiptare renditej e 70-ta në renditjen e FIFA-s, por asnjë humbje në katër ndeshje të luajtura për europianin e Francës, janë një rekord më vete për kuqezinjtë, që reflektohet edhe në statistika.

Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Shqipëria është rritur në mënyrë progresive në rangrenditjen e FIFA-s. Gjithçka do të niste me atë fitore në Portugali. Goli i Bekim Balajt në stadiumin e Avieros i dha tri pikët kombëtares tonë, por edhe një fluturim në renditje me plot 25 vende të kapërcyera, duke shkuar nga vendi i 70-të në të 45-in.

Pas kësaj do të mbërrinte barazimi 1-1 në Elbasan Arena me Danimarkën. Rezultati i reflektua në renditje dhe Shqipëria humbi tre pozicione. Zbritja vazhdoi edhe më tej. Ngjarjet e 14 tetorit në sfidën me Serbinë në Beogra, ndërprerja e ndeshjes për shkak të dhunës dhe racizmit ndaj futbollistëve shqiptarë, vendimi i paprecedentë i Disiplinës dhe Apelit të UEFA-s për t’i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë, shtuar këtu edhe barazimin me Francën dhe humbjen me Italinë në dy miqësorë, bënë që kombëtarja jonë të zbresë për muajin nëntor në vendin e 50-të.

Mes dhjetorit të vitit 2014 dhe shkurtit 2015, Shqipëria e sheh veten në vendin e 58-të dhe më pas në të 63-in. Përmirësimi i pozitave vjen në mars, ku pa luajtur asnjë ndeshje, por duke përfituar nga lëvizjet e skuadrave të tjera, Kombëtarja fiton dy pozicione. Me suksesin 2-1 përballë Armenisë në “Elbasan Arena”, muaji prill i gjen kuqezinjtë të 57-ët në botë, pozitë që ruhet edhe në maj. Pa zbritur në fushë, skuadra e De Biasit ngjitet në vendin e 51-të për muajin qershor. Në këtë moment, vjen një tjetër triumf historik, ai në miqësoren përballë Francës. Fitorja përballë organizatorëve të Europianit 2016 shoqërohet me pozicionimin më të mirë të të gjitha kohërave.

Shqipëria fiton 15 vende në klasifikimin e FIFA-s dhe renditet e 36-ta, duke përmirësuar primatin e mëparshëm të muajit prill 2013, kur ndodhej e 37-ta.

Pas zbardhjes së vendimit nga CAS e Lozanës, që përmbysi UEFA-n, duke i dhënë Shqipërisë fitoren në tavolinë, Shqipëria tashmë është e 22-ta në botë. Jo rastësisht rekordet janë bërë për t’u thyer. E njëjta vlen edhe për historinë, që mund të rishkruhet.

Kombëtarja vazhdon ëndrrën drejt kualifikimit të parë në një eveniment madhor.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel