Arabia Saudite, tjetër sulm kamikaz në xhami. Vriten 15 vetë, 12 forca sigurie

06/08/2015 00:00

Një sulm kamikaz ndaj nëj xhamie, të frekuentuar nga forcat e sigurisë lokale me seli në qytetin Abha, në jugperëndim të Arabisë Saudite, la të vdekur 15 persona këtë të enjte, shumica prej të cilëve oficerë, bëri të ditur ministria e Brendshme saudite.

Xhamia në Abha, kryeqytet i provincës Aisr, ishte pjesë e selisë lokale të Forcave Speciale të Emergjencave, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme për agjencinë shtetërore të lajmeve “SPA”. Ministria njoftoi më herët për 13 viktima, por më pas e çoi shifrën në 15 të vdekur për shkak se kishin ndërruar jetë edhe dy të plagosur.

Mes viktimave, 12 prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa 3 ishin punonjës të ndërtesës, sipas ministrisë. Ata ishin të gjithë duke u lutur në xhami, kur kamikazi hyri mes tyre dhe aktivizoi sasinë eksplozive. Rrënojat pas incidentit tregojnë se është përdorur një rrip me eksplozivë nga kamikazi, tha më tej zëdhënësi.

Ende asnjë organizatë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi, ndërsa në maj, dy sulme të ngjashme në xhamitë e shiitëve në Arabinë Saudite u morën përsipër nga Shteti Islamik. E para ndodhi në një xhami në Qatif, në lindje të Mbretërisë arabe, duke shkaktuar 21 të vdekur, ndërsa tjetra la 4 të vrarë në një ngjarje të pas një jave në xhaminë e qytetit Dammam.

Një tjetër shpërthim kamikaz është marrë përsipër nga Shteti Islamik, ai që ndodhi në një xhami shiitësh në Kuvajt në qershor, që la të vrarë 27 persona.

Grupi i militantëve xhihadistë, të cilët kundërshtojnë ashpër regjimet e vendeve të Gjirit Arabik, po përpiqet të nxisë përplasje mes sekteve fetare në gadishullin Arabik, me synimin për të rrëzuar nga pushtetet dinastitë sundimtare.

ISIS ka nxitur sunitët e rinj sauditë brenda Mbretërisë që të sulmojnë objektiva të ndryshme, përfshi edhe ato të shiitëve.

Top Channel