Dy aksidente, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës

06/08/2015 00:00

Dy aksidente të ndodhura thuajse në të njëjtën kohë në autostradën Tiranë-Durrës, kanë shkaktuar kaos në qarkullim, duke bllokuar trafikun në aksin më të populluar në këtë periudhë pushimesh.

Dy autobusë dhe një automjet janë përfshirë në një aksident që nuk ka regjistruar persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.

Burime nga policia rrugore bënë të ditur se shkak i përplasjes zinxhir të tre mjeteve është bërë lagështia në rrugë e shkaktuar nga një shi i vrullshëm.

Policia Rrugore ka bllokuar kalimin nga mbikalimi i Shkozetit në autostradë në drejtim të Sukthit, duke e orientuar të gjithë qarkullimin përgjatë këtij aksi nga rruga e vjetër, Durrës-Tiranë.

Kjo situatë është shoqëruar me një trafik tejet të ngarkuar në të dyja këto akse rrugore që lidhin Durrësin me Tiranën.

Ndërkohë, aksidenti tjetër ka ndodhur në Shën Vlash, ku një 56-vjeçar, që po udhëtonte me një motoçikletë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë jashtë rruge.

Si pasojë e përplasjes, 56-vjeçari ka mbetur i plagosur. Ai është shoqëruar menjëherë në drejtim të spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel