Antiterrorizmi në Shkup, 9 të arrestuar dhe 20 në kërkim për lidhje me ISIS

06/08/2015 00:00

Aksioni policor i ndërmarrë gjatë kësaj të enjteje në Maqedoni, i koduar “Qelia”, ka përfunduar me 9 të arrestuar dhe 20 të tjerë të shpallur në kërkim, të gjithë të dyshuar për pjesëmarrje në luftërat e huaja apo për rekrutim të të rinjve për pjesëmarrje në këto luftëra, bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Siç ka informuar ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, janë ngritur padi penale ndaj 35 personave për pjesëmarrje në luftëra të huaja, të gjithë shtetas të Maqedonisë por me kombësi të ndryshme.

Gjatë aksionit policor janë bastisur 28 objekte në Shkup, Gostivar, Tetovë, Kumanovë dhe në Strugë, shumica shtëpi private, ndërkohë që është bastisur edhe xhamia Tutunsuz në Shkup, dy organizata joqeveritare si dhe disa pika “internet cafe”.

Sipas policisë, ideologu kryesor i këtij grupi ka qenë imami i një xhamie në Shkup, por duke u justifikuar me prezumimin e pafajësisë, ministri nuk ka dashur të konfirmojë nëse ky i dyshuar është imami nga xhamia Tutunzuz e Shkupit, siç është bërë e ditur më herët nga mediat.

Në konferencën për shtyp, ministri Çavkov nuk ka mundur të tregojë se në cilën ushtri kanë luftuar personat e rekrutuar nga Maqedonia, për shkak se – siç pohoi ai, – një gjë e tillë do të duhet të vërtetohet në hetimet e mëtejshme.

“Sipas informacioneve tona, deri më tani kanë humbur jetën 16 persona në luftërat e huaja, ndërsa të larguar kanë qenë 130 gjithsej, që kanë marrë pjesë në këto luftëra. E dimë se janë siguruar dokumente të falsifikuara dhe se ata kanë shkuar atje përmes Turqisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov.

Në aksionin e policisë janë konfiskuar 48 kompjutera, 18 laptopë dhe po aq tabletë, 118 celularë, vërtetime për hyrjen e të ardhurave, ndërsa sipas asaj që ka prezantuar MPB-ja, nuk janë gjetur armë.

Sipas ministrit Çavkov, në Maqedoni nuk ka qendra për trajnim të fundamentalistëve islamikë, por ka mjedise, në të cilat kryhen aktivitete të tilla. Tani për tani, policia maqedonase nuk ka informacione nëse këta persona kanë planifikuar sulme terroriste në Maqedoni.

Ndërkohë, ambasada e SHBA-ve në Shkup e ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, për operacionin e sotëm ndaj personave të dyshuar si terroristë dhe ndihmues të terrorizmit.

“Jemi të informuar se, ky operacion ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe të vëmendshëm nga ana e policisë, shërbimeve të zbulimit dhe zyrës së prokurorit, në pajtim me ligjet e reja antiterrorizëm në Maqedoni. Mbështesim përdorimin e procedurave të drejtësisë penale nga ana e Qeverisë, për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve terroristë drejt rajoneve të konfliktit, për të frenuar dhunën dhe për të luftuar fuqimisht ekstremizmin e dhunshëm”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.

Top Channel