Divjakë, fermerët në protestë. Mbollën farërat, por s’kanë fruta dhe shitje

06/08/2015 00:00

Dhjetëra fermerë në zonën e Spolatës, në Bashkinë e Divjakës, kanë disa muaj që kultivojnë në tokat e tyre farëra, të cilat u janë ofruar nga një kompani e huaj, por pavarësisht përkushtimit të fermerëve, një pjesë e tyre nuk kanë fare fruta dhe në disa të tjera frutat kanë mbetur në degë, pasi firma që ka porositur mbjelljen e tyre nuk po shfaqet për t’i blerë ato.

Fermerët ankohen se kanë investuar gjithçka të ekonomisë së tyre familjare në këtë sipërmarrje ndërsa firma angleze dhe partneri i tyre në rrethin e Lushnjes nuk marrin përsipër asgjë. Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti.

Sipas fermerëve, kostoja e deritanishme e një dynymi të kultivuar me bimët, që janë të familjes së bostanorëve shkon deri në 70-80 mijë lekë. Por, kjo nuk është e para herë, që fermerët në zonën e Lushnjes mbjellin dhe kultivojnë me fara hibride që nuk i njohin, e më pas mbesin të zhgënjyer nga mënyra sesi i trajtojnë firmat e huaja, apo edhe vendase.

Top Channel