Edhe për këtë vit, revista prestigjioze “Vanity Fair” ka publikuar listën e VIP-ave të veshur më mirë për vitin 2015.

Këtë herë, vendin e parë nuk e mban ndonjë këngëtare me emër, e as ndonjë yll kinematografie, por në krye të klasifikimit qëndron gruaja e kryeministrit britanik. Bëhet fjalë për Samantha Cameron.

E cilësuar nga “Vanity Fair” si sharmantja konservatore, 44-vjeçarja ka rënë në sy për elegancën dhe stilin e saj klasik. Samantha Cameron nuk ua beson shumë stilistëve “look”-un e saj, por më të preferuarit e Zonjës së Parë britanike janë Alexander McQueen, si dhe Phillip Lim.

Mediat përfolën faktin se Taylor Swift është mërzitur shumë për vendin e dytë në këtë klasifikim, megjithatë as këngëtarja 25-vjeçare nuk ngelet shumë mbrapa. Ajo shpesh është krahasuar me princeshën Diana.

Edhe pse shumë e re, Tailor Swiftit nuk i ka rrëshqitur këmba për t’u bërë prè e trendeve më të fundit gjysmë të zhveshura. Përkundrazi, ajo ka ruajtur stilin e saj elegant, e siç thotë frymëzimi i saj është aktorja e famshme, Audrey Hepburn.

Vendin e tretë e mban prima balerina e Teatrit amerikan, Misty Copeland. E cilësuar si një nga femrat me trupin më të bukur në botë, Copeland është fanatike e firmave të modës, si “Givenchy” apo “Balmain”.

Treshja që kryesonte listën e “Vanity Fair” ka lënë mbrapa të tjera ikona, si avokaten Amal Clooney, këngëtaren e mirënjohur Rihanna, apo Mbretëreshën Letizia të Spanjës.

“Vanity Fair”, ndryshe nga revistat e tjera, bën një përzgjedhje më fine të “look”-ut të VIP-ave, ku si kryefjalë veshja e tyre ka elegancën. Për vite me radhë në këtë klasifikim janë renditur emra të njohur, të cilët kanë krijuar jo vetëm stilin personal, por edhe kanë frymëzuar miliona të tjerë për të ndjekur modën e tyre.

Top Channel