Kosovë, fëmija humb jetën në kanalin ujitës të Ibër Lepencit

06/08/2015 00:00

Një fëmijë është mbytur të enjten pasdite në kanalin e ujitjes së Ibër Lepencit. Familjarët e fëmijë së mbytur kanë njoftuar Policinë e Mitrovicës rreth orës 16 e 30, pasi kanë dëgjuar nga dëshmitarë se fëmija i tyre kishte rënë në kanal.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, sipas të cilit, me të marrë informacionin, ata kanë ndërhyrë menjëherë me zhytës dhe pas 15 minutash kërkim, zhytësit kanë nxjerrë kufomën e pajetë të fëmijës, i cili kishte mbetur në mes të kanalit, duke u bartur nga rryma e ujit për rreth 10 metra.

Zahiti tha se trupi i pajetë i fëmijës është i lirë për t’u marrë nga familjarët, pasi nuk do t’i bëhen ekzaminime, meqenëse ka dëshmitarë se ai ka rënë vetë në ujë. Mësohet se, edhe një tjetër fëmijë e kësaj familjeje, një vajzë 7-vjeçare, është mbytur para disa vitesh në të njëjtin kanal.

Top Channel