Raikkonen gjen ngushëllim tek e fejuara… Baba për herë të dytë?

06/08/2015 00:00

E ardhmja e tij në Formula 1 është ende e mbuluar me hije dyshimi, por, teksa Botërori i këtij viti është ndalur për shkak të pushimeve verore, e pritet të rifillojë më 23 gusht me Çmimin e Madh të Belgjikës, garën e 11 të kalendarit, një lajm i mirë vjen nga ishulli i Majorkës.

Pikërisht në ishullin turistik të Spanjës, Kimi Raikkonen ka zgjedhur të kalojë pushimet së bashku me të fejuarën e tij, Minttu Virtanen. Duket se “njeriu i akullt” i garave të automobilizmit ka shprehur dëshirën për të pasur një tjetër fëmijë, pasi u bë për herë të parë baba më 27 janar të këtij viti, me lindjen e Robin.

Duket se aspekti familjar për finlandezin po shkon më së miri, e për këtë vjen edhe konfirmimi i të fejuarës Minttu, e cila ka përfunduar në kopertinën e revistës “Health & Beauty”, ku ka folur mbi raportin me pilotin e Ferrarit.

“Kemi shumë besim te njëri-tjetri. Kimi nis t’u besojë njerëzve që në fillim”. Ish-asistentja e fluturimeve, e cila prej muajit maj jeton në të njëjtën shtëpi me Kimin në Zvicër, ka shtuar më tej se “për Raikkonen, familja vjen para gjithçkaje. Në punë mund të duket i ashpër dhe egoist, por në shtëpi është tërësisht i ndryshëm dhe i vëmendshëm”.

Top Channel