Lirohet Isabelle Prime, francezja që u rrëmbye në Jemen

07/08/2015 00:00

Presidenca franceze ka njoftuar se Isabelle Prime, gruaja franceze që u rrëmbye në Jemen më 24 shkurt, është liruar dhe do të kthehet në Francë gjatë ditës së premte.

“Bashkëpatriotja jonë, Isabelle Prime është liruar në orët e para të së premtes. Presidenti Hollande është shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në lirimin e saj, përfshirë edhe Sulltanin e Omanit, Qaboos bin Said”, thuhet në deklaratë.

30-vjeçarja, që ka punuar si konsulente në një projekt të Bankës Botërore, u rrëmbye bashkë me përkthyesen e saj gjatë kohës kur ato po udhëtonin me makinë për çështje pune në kryeqytetin Sanaa. Përkthyesja e saj, Sherine Makkaoui u lirua në mars.

Një numër i madh i të huajve janë marrë peng në Jemen gjatë 15 viteve të fundit, kryesisht nga ajo që njihet si aleanca e fiseve, të cilët janë kundërshtarët më të mëdhenj të qeverisë. Një pjesë e madhe e tyre janë liruar.

Mirëpo, në dhjetor, gazetari amerikan Luke Somers dhe mësuesi afrikano-jugor, Pierre Korkie vdiqën gjatë një tentimi të dështuar të komandove amerikane për t’i shpëtuar nga Al-Qaeda në juglindje të Jemenit.

Top Channel