Debati mes republikanëve, Trump nuk përjashton mundësinë e kandidimit si i pavarur

07/08/2015 00:00

Donald Trump nuk ka hedhur poshtë mundësinë që të kandidojë si i pavaruar për President të SHBA-ve, gjatë debatit të parë që është mbajtur mes kandidatëve republikanë në Kleverlend.

Manjati, që ishte në qendër të skenës për shkak se kryeson në sondazhe, ngriti dorën kur moderatori pyeti nëse ndonjëri prej dhjetë kandidatëve republikanë të pranishëm në debat nuk do të mbështesë një tjetër kandidat në zgjedhjet e nëntorit të 2016-s.

“Në këtë kohë unë nuk do të japë asnjë garanci”, është shprehur Trump, që në vazhdimësi ka lënë të hapur mundësinë për një kandidim të pavaruar, sidomos nëse heton se nuk ka mbështetjen nga partia.

Një kandidim i pavaruar për Trump do të thoshte rrjedhje votash për republikanët, ose me fjalë të tjera një fitore të sigurt për Hillary Clintonin ose një tjetër demokrat.

“Unë jam duke e diskutuar këtë gjë me të gjithë. Dua të fitoj dhe do të fitojmë. Por, dua të fitoj si kandidat i republikanëve”, është shprehur Trump.

Ai menjëherë është kritikuar nga senatori amerikan, Paul që ka thënë se Trump është duke mbajtur të hapur mundësinë për të mbështetur Hillary Clintonin.

Trump është pyetur edhe për deklaratat e tij në lidhje me emigrantët meksikanë, ndërsa është shprehur se ndihet krenar që ka sjellë në vëmendje një çështje shumë të rëndësishme.

“Nëse s’do të ishte për mua, ju as nuk do të ishit duke folur për emigrimin ilegal. Kjo nuk ishte temë në mendjen e asnjërit prej jush, derisa nuk e thashë unë”, ka thënë Trump.

Një pyetje që iu është bërë Trumpit ka qenë edhe se “kur ishte bërë ai republikan, pasi kishte afërsi me demokratët”, ndërsa manjati kishte thënë se me kalimin e viteve, kishte ndryshuar pikëpamjet për disa çështje, duke përfshirë edhe abortin.

Top Channel