Marrëveshja me Iranin; senatori demokrat, Schumer: Do votoj kundër

07/08/2015 00:00

Senatori i Nju Jorkut, numri tre i Senatit demokrat dhe ligjvënësi hebre më me ndikim në Kongres, Chuck Schumer përmes një deklarate të publikuar online, gjatë kohës kur po mbahej debati mes republikanëve, ka njoftuar se do të kundërshtojë marrëveshjen me Iranin.

“Unë do të votoj kundër marrëveshjes, jo sepse dua që të ketë luftë dhe as për të sfiduar rrugën e diplomacisë, por sepse besoj se Irani nuk do të ndryshojë. Kjo marrëveshje bën që Irani të përfitojë dyfish; t’i hiqen sanksionet si dhe të ruajë fuqinë e saj bërthamore dhe jo-bërthamore”, ka shkruar Schumer.

Vendimi për t’i dalë kundër marrëveshjes, është një goditje për Presidentin Barack Obama, i cili kishte shpenzuar kohë dhe energji për të bindur Senatin demokrat për të votuar “pro” dhe për pak dukej se ia kishte arritur qëllimit.

Ditë më parë, në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Uashingtonit, Obama tha se marrëveshja është mbështetur publikisht nga çdo vend i botës, përveç Izraelit.

Ai po ashtu u ka bërë të ditur udhëheqësve hebrenj të Amerikës se, do të ishte diçka e ngjashme me rënien e raketave mbi Tel Aviv, një refuzim dhe bllokim i marrëveshjes së re bërthamore me Iranin, i cili do të shoqërohej me veprime ushtarake.

Top Channel