Jennifer Aniston martohet në fshehtësi të plotë

07/08/2015 00:00

Në një intervistë dhënë disa muaj më parë, ajo pati deklaruar se nëse do të martohej, do ta bënte këtë në një ceremoni krejtësisht sekrete, me një grup të ngushtë miqsh dhe familjarësh dhe larg vëmendjes së mediave.

U tha u bë! Jennifer Aniston dhe Justin Theroux kanë kurorëzuar romancën e tyre në fshehtësi të plotë në Bel Air.

Revista “People” thotë se në ceremoni nuk ishin më shumë se 70 persona të ftuar, mes të cilëve edhe miqtë e Aniston, Lisa Kudrow, Chelsea Handler dhe Howard Stern.

TMZ raporton se ceremonia është zhvilluar në një vilë ngjitur me kompleksin e Aniston. Jennifer dhe Theroux kanë përdorur një shteg sekret për t’u paraqitur para të ftuarve, ndërkohë që është stafi i shërbimit është mbajtur në terr deri në momentin e nisjes së ceremonisë.

Çifti ja doli mbanë të kurorëzohet në fshehtësi, por nuk iu shmang dot paparacëve në momentin e nisjes së muajit të mjaltit. Ata u fotografuan duke hipur në një avion privat, me gjasa në ndonjë destinacion ekzotik.

Aniston, 45 vjeçe dhe Theroux, 43 vjeç, të cilët kanë qenë miq shumë kohë përpara se të nisnin një lidhje, kanë qëndruar për tre vjet të fejuar.

Jeta sentimentale e Aniston u vu në qendër të paparacëve që pas ndarjes nga Brad Pitt në vitin 2005.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel