“MH370”, Franca paralajmëron kërkime në det, tokë dhe ajër

07/08/2015 00:00

Franca do të kryejë kërkime ajrore, tokësore dhe detare në dhe përreth ishullit Reunion, me shpresë për të gjetur më shumë copëza të avionit “MH370”.

Autoritetet malajziane deklaruan të enjten se krahu i gjetur në ishullin e Oqeanit Indian i përkiste avionit të “Malaysia Airlines”.

Por hetuesit francezë duhet ende ta konfirmojnë këtë, duke shkaktuar ankth në familjet e viktimave. Autoritetet franceze mohuan gjithashtu deklaratat e malajzianëve se pjesë të tjera të avionit ishin gjetur.

Boingu 777 po udhëtonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin 8 marsin e vitit të kaluar, kur papritur u zhduk nga radari. Në bordin e tij udhëtonin 239 persona, shumica e të cilëve kinezë.

Për të tretën ditë rresht, të afërmit e viktimave, të irrituar nga mesazhet kontradiktore të autoriteteve, kanë mbajtur një protestë të vogël jashtë selisë së “Malaysian Airlines” në Pekin.

Qeveria franceze bëri të ditur përmes një deklarate se, një avion ushtarak i tipit “Casa” do të fillojë mbikëqyrjen e zonës rreth ishullit Reunion këtë të premte, i shoqëruar nga helikopterë, patrullime detare dhe ekipe tokësore.

Duke theksuar se e kupton dhimbjen e familjarëve, qeveria e Parisit ka nënvizuar se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të hedhur dritë mbi këtë tragjedi.

Top Channel