PD: Akti normativ thellon krizën. Alternativa jonë, zgjidhja për ekonominë

07/08/2015 00:00

Partia Demokratike deklaron se përkundër asaj që pretendon qeveria, shkurtimet e buxhetit prekin më së shumti prioritetet dhe premtimet e kësaj mazhorance.

“Ndryshe nga se propagandon qeveria se rishikimet nuk prekin prioritetet e kësaj mazhorance, akti normativ do të prekë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke përgjysmuar me 50 përqind fondin e investimeve në fushën e shëndetësisë, duke e ulur këtë fond nga 18 miliardë lekë në 9 miliardë lekë. Investimet në fushën e arsimit, një tjetër prioritet i qeverisë në kontratën me shqiptarët, do të shkurtohen me 36 përqind, apo 1.3 miliardë lekë më pak për investime për të rinjtë dhe të rejat në fushën e edukimit”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

PD thotë se rishikimi i buxhetit parashikon 18 përqind investime më pak në ujësjellësa, 26 përqind më pak investime në bujqësi, 50 përqind më pak investime në shëndetësi dhe 36 përqind më pak në arsim

“Akti i Normativ, i miratuar në fshehtësi të plotë, ka vulosur uljen me rreth 25 mld lekë shpenzimet qeveritare. Buxheti i ri do të zvogëlojë me 2.67 miliardë lekë investimet në ujësjellësa dhe kanalizime, sikundër do të shkurtojë me 1.79 miliardë lekë investimet në infrastrukturën rrugore. Sektori prioritar i bujqësisë, që këtë vit duhet të pësonte një rritje, do të ketë 520 milionë lekë, më pak investime për një nga sektorët që aq shumë përzemër e kishin si mazhorancë”, shtoi deputetja e PD-së.

Shkurtimet prekin edhe shtresat në nevojë, sipas opozitës.

“Ulën me 800 milionë lekë fondin për sigurimet shoqërore, një tjetër gurë të rëndë në fondin e pensionistëve, me të cilët u tall pak ditë më parë me rritjen që nuk indeksonte as inflacionin”, tha deputetja e PD.

Ulja e fondit për papunësinë është një tjetër goditje në një kohë kur ekonomia e vendit, sipas opozitës, as nuk i afrohet rritjes me 2.5 përqind siç pretendon mazhoranca.

Në fund, Tabaku ritheksoi zotimin e Partisë Demokratike për të rikthyer në fuqi taksën e sheshtë më të ultën në rajon me 9 përqind, masë që sipas opozitës, do të rigjallërojë ekonominë, biznesin dhe do të hapë vende të reja pune.

“E gjithë kjo situatë, vjen si pasojë e një politike fiskale abuzive që do të sjellë si përfundim kolapsin e plotë ekonomik dhe fiskal të një shteti që vuan nga paaftësia dhe nga abuzimi administrativ. Nuk është çudi që për dy vite me kokëfortësi insistuan që rritja e taksave nuk do kishte ndikim, ndërkohë që informaliteti është rritur në shifra alarmante, kreditimi i ekonomisë ka rënë, depozitat kanë rënë. Për këtë arsye alternativa e propozuar nga ne, alternativa e taksës së sheshtë 9% do të sjellë frymëmarrje për ekonominë, duke i dhënë mundësi biznesit të rigjenerohet nga këto dy vite krize e do ta bëjë Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon”, përdundoi Tabaku.

Top Channel