Gjermania, viza pune për refugjatët nga Ballkani?

07/08/2015 00:00

Socialdemokratët në Gjermani propozojnë viza pune për refugjatët e Ballkanit Perëndimor. Ky është artikulli i gazetës gjermane “Rhenische Post”, që hedh hije të reja mbi fatin e azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

Sipas politikanëve të koalicionit në pushtet, kjo është ndoshta mënyra e vetme për të ulur numrin e azilkërkuesve nga këto vende. Pohimi del në saj të një studimi të kohëve të fundit bërë nga ana e partisë SPD.

Deklarata përfundimtare, bën me dije artikulli, është vendosur që më 3 gusht nëpërmjet një telekonference ndërmjet kryetarit të SPD, Sigmar Gabriel dhe kryeministrave socialdemokratë të landeve.

Por duket se ky lajm ka gjetur zëra pro edhe ne radhët e partisë së kristian-demokratëve, CDU-së. Mes tyre është edhe kryeministri i landit të Hesenit, Volker Bouffier. Sipas Bouffier, me dhënien e vizave të punës mund t’u vihet në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Pra, atyre që largohen nga Ballkani për arsye ekonomike dhe hyjnë në Gjermani me dokumente të rregullta”, tha Bouffier. Sipas tij, nga ky koncept mund të përfitojë edhe ekonomia gjermane.

Por si mund të realizohet kjo gjë? Qeveria gjermane gjithmonë i ka mëshuar idesë se azili është rruga e gabuar për refugjatët. Në një dokument të saj, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në kategorinë e vendeve të sigurta, duke mundësuar kështu kthimin sa më të shpejtë të azilkërkuesve në vendet e tyre të origjinës.

Krahas kësaj është shtuar edhe një mundësi e kthimit të personave me aftësi pune sërish në Gjermani nëpërmjet kontratave të punës, që nuk do jenë poshtë pagave minimale bruto prej 1.460 euro.

Në këtë formë u jepet mundësia personave me aftësi profesionale të zgjedhin rrugë ligjore për emigracionin edhe për faktin se vendit i nevojitet fuqi punëtore.

Propozimi pritet të diskutohet në mbledhjen e Federatës së Landeve për politikën e azilit dhe refugjatëve që do të mbahet në muajin shtator.

Top Channel