PD: Rama u shfaq sërish si mbrojtës i krimit. Po sfidon SHBA dhe partnerët europianë

07/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është shfaqur sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi opozita paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit.

Sipas PD, duke dalë nëpër ambjente publike në krah të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Edi Rama po sfidon qytetarët, opozitën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët europianë, të gjithë të angazhuar për pastrimin e politikës dhe administratës nga elementët me rekorde kriminale.

“Platforma e dekriminalizimit sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të të zgjedhurit të tij në Kavajë, por dhe në Parlament, bashki e zyra të tjera. Por, Edi Rama ka preferuar t’i japë garanci njeriut të tij të dënuar për trafik droge në Zvicër, duke kaluar pushimet me të e duke u shfaqur me të në sytë e qytetarëve”, thuhet në një deklaratë të PD.

Partia kryesore e opozitës vlerëson se, me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Rama dëshmoi se është kundër dekriminalizimit dhe se mbetet promotor i palodhur i krimit në politikë e administratë.

“Çlirimi i politikës dhe i zyrave publike nga krimi nuk ka për t’u mbajtur dot peng nga Edi Rama. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë përpara procesin jetik të shkëputjes së vendimmarrjes nga krimi, nga soji i Roshit, Ndokës, Bushit e qindra ta tjerëve që kanë kapur pushtetin përmes Edi Ramës”, vijon deklarata e PD.

Selia blu paralajmëron se, nëse vendos të mbrojë deri në fund krimin, Edi Rama do të ketë fatin e tyre. “Vullneti i shumicës së shqiptarëve që kanë në krah partnerët ndërkombëtarë nuk ndalet dot nga aleanca në minorancë e krimit”, thuhet në deklaratë.

Top Channel