Sfidat e mëdha që rezervon ‘play off’ i Ligës së Kampionëve

07/08/2015 00:00

Formula e hedhjes së shortit për fazën play off të Ligës së Kampioneve ka vendosur përballë skuadra me emër në Europë dhe sfida të denja për në fazët e mëtejme të këtij kompeticioni.

Kështu, në këtë fazë bie në sy përballja mes Valencias dhe Monakos. Francezët ishin në çerekfinale në sezonin e kaluar, ku u eliminuan nga Juventusi. Por vendi i tretë i siguruar në kampionatin përkatës, e vendosën në turin e tretë eliminator dhe më pas në play off, ku përballë do të ketë spanjollët që zunë vendin e katërt në La Ligan e kaluar.

Lacio i Igli Tares dhe Lorik Canës, që zuri vendin e tretë në Serinë A do të jetë përballë gjermanëve të Bajer Leverkusen. Sfida e parë e këtij takimi luhet në Itali dhe një javë më vonë në Gjermani luhet ndeshja e kthimit.

Një tjetër emër i madh, Manchester United, duhet të kalojë pengesën Club Brugge për t’u rikthyer në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Belgët eliminuan në turin e tretë eliminator grekët e Panathinaokosit.

Një tjetër sfidë e fortë parashikohet edhe ajo mes Sportingut të Lisbonës dhe CSKA-së së Moskës, ndërsa Rapidi i Vjenës, që eliminoi Ajaksin, do të përballet me ukrainasit e Shakhtarit, që eliminuan në turin e tretë eliminator turqit e Fenerbahçes.

Top Channel