Samiti i Vjenës, Rama dhe Vuçiç përballë të rinjve në një debat televiziv

07/08/2015 00:00

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit për të dytën herë do të mblidhen në Vjenë më 27 gusht, në vijim të Konferencës së Berlinit, nën kujdesin e kancelares Merkel.

Ky samit i dytë, që këtë herë mbahet në kryeqytetin austriak, do t’i bëjë një bilanc asaj çfarë është arritur deri më sot pas samitit të Berlinit, mbajtur saktësisht një vit më parë.

Mësohet se vendet e Ballkanit do të paraqiten me projekte konkrete, kryesisht në infrastrukturë, të cilat janë të pamundura të realizohen pa financimet europiane.

Ndryshe nga samiti i Berlinit, ku Merkel, Rama dhe Barroso dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në Vjenë është parashikuar edhe pjesëmarrja në një show televiziv i organizuar nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Jugperëndimore, parashikuar të zhvillohet në ora 16:00.

Një burim diplomatik pranë stafit organizativ të këtij samiti tha për Top-Channel se në panelin e këtij show televiziv do të jenë kryeministri Edi Rama, ai serb Aleksandar Vuçiç, ministrja austriake për Familjen dhe Rininë, Sophie Karmasin dhe sekretari i përgjithshëm i Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Europën Jugperëndimore, Goran Svilanoviç.

Shfaqja do të prezantohet nga gazetarët Nenad Shebek dhe Zvezdana Kovaç dhe është e konceptuar si një bashkëbisedim me të rinjtë nga vendet e rajonit e që pritet të transmetohet nga një televizon serb.

Pas dy konferencave për shtyp në Beograd dhe Tiranë, pjesëmarrja në këtë program e çon në tre numrin e përballjeve “live” në media të Ramës dhe Vuçiç.

Top Channel