Drafti për të ndryshuar taksat; kërkesa e FMN: Në taksim edhe pagat e ulëta

07/08/2015 00:00

Një projekt i ri për tatimin mbi të ardhurat, që Ministria e Financave ka shpërndarë për konsultime me ekspertët dhe grupet e interesit pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme në skemën aktuale të taksave.

Ndryshe nga ligji aktual, drafti i hartuar me FMN e përfshin si nen të veçantë normën e taksave që paguhet mbi të ardhurat e madje e ndryshon fort atë, duke futur në taksim edhe pagat e ulëta, të cilat sot janë të përjashtuara.

Më konrektisht, sipas nenit 25 të draftit, për nivelin e të ardhurave nga 0 në 180 mijë lekë në vit, tatimi do të jetë 5 për qind, nga zero që është aktualsht.

E shprehur si e ardhur mujore, kjo do të thotë se 15 mijë lekëshi i parë i pagës do të taksohet me 5 për qind. Mbi këtë nivel, pra për fashën vjetore të të ardhurave nga 180 mijë lekë deri në 1 milionë e 560 mijë lekë, taksa bëhet 13 për qind.

Pra, të gjithë ata që kanë një të ardhur mujore nga 15 deri në 130 mijë lekë do të taksohen për këtë fashë me 13 për qind. Të ardhurat mbi 1 milion e 560 mijë, pra ndryshe rrogat mbi 130 mijë lekë në muaj, do të taksohen me 23 për qind, ashtu siç është edhe tani.

Për të lehtësuar disi tatimpaguesit, drafti lejon që individët të mund të zbresin deri në 180 mijë lekë në muaj nga baza e taksueshme.

Burime nga Ministria e Financave e pranojnë ekzistencën e draftit, por ato thonë se dokumenti është në një fazë të hershme dhe normat tatimore të vendosura aty janë thjesht për ilustrim.

Sipas tyre, nuk ka asnjë vendim se sa do të jenë normat tatimore dhe niveli i të ardhurave mbi të cilin do të përdoren ato, pasi ky është një vendim që do të merret më vonë.

Drafti i ri për tatimin mbi të ardhurat ishte kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. A është FMN që ka kërkuar zbritjen e kufirit të pataksueshëm nga 30 mijë lekë në zero? Kjo mbetet për t’u parë.

Por, nëse neni 25 i draftit të ri, i cili fut në taksim të varfërit, nuk do të ndryshohet para se drafti të kalojë në qeveri, gjasat janë që ai do të shkaktojë debate të forta.

Top Channel