Buxheti i shëndetësisë rritet me 7 mln USD. Beqaj: Investime në QSUT dhe në disa spitale rajonale

07/08/2015 00:00

Akti normativ i Qeverisë, i 29 korrikut, ka rritur buxhetin e shëndetësisë me rreth 7 milionë dollarë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se ky fond do të përdoret për investime që kanë nisur, si në QSUT, por edhe për të tjera, që do të fillojnë në disa spitale nëpër rrethe.

“Një pjesë e këtyre 7 milionë dollarëve do të alokohen për të avancuar më shpejt punimet në disa kontrata, që ne i kemi të hapura. Ne kemi një kontratë për bunkerin e akseleratorit linear në QSUT, një rikonstruksion të godinës së konsultave në QSUT, kemi filluar rikonstruksionin e maternitetit të Spitalit të Gjirokastrës, po ndërtojmë Qendër Shëndetësore të re në Divjakë, po rikonstruktojmë Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve, të cilët e quajmë shpesh si ‘Poliklinika Iraniane’. Duam të avancojmë punimet këtu, madje fondet e reja janë edhe për pajisje në këto qendra, në mënyrë që pranverën e ardhshme, kur këto ndërtime apo rikonstruksione të kenë përfunduar, edhe të nisë puna me pajisjet që do të jenë aty”, u shpreh ministri Ilir Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë, Beqaj theksoi se një pjesë e këtij fondi do të shkojë për pajisje diagnostikuese për Senatoriumin e Tiranës, i cili po merr përmasat e një spitali univeristar.

“Gjithashtu duam të zgjerojmë kapacitetet diagnostikuese në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, i cili po i tejkalon përmasat e një spitali mushkërish, duke u bërë më i përgjithshëm e universitar. Deri në pranverën e ardhshme duam të vendosim një rezonancë magnetike në Spitalin Rajonal të Shkodrës, e gjithashtu të forcojmë kapacitetet me pajisje monitoruese në disa spitale të tjera rajonale”, shpjegoi më tej Ilir Beqaj.

Pajisja me aparatura bashkëkohore e spitaleve rajonale mbetet një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që mjekëve specialistë, të cilët do të pranojnë të lidhin kontrata kundrejt shumës prej 100 mijë lekësh në muaj për të ofruar shërbim mjekësor në këto spitale, t’u krijohen edhe kushtet e përshtatshme për të punuar.

Top Channel