Regjistrimet në universitetet publike, 29 mijë të rinj për 18 mijë kuota

07/08/2015 00:00

Në 15 shtator merr fund ankthi i të rinjve, nëse kanë fituar apo jo të drejtën për të vijuar studimet e larta në universitetet publike.

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se janë regjistruar mbi 29 mijë të rinj, ndërkohë që kuotat e miratuara janë vetëm 18 mijë.

“Fituesit shpallen në datën 3. Pas shpalljes së fituesve që del në sistemin “online”, të gjithë fituesit duhet të shkojnë të regjistrohen në universitetet përkatëse. Do të ketë një periudhë të caktuar kohore për regjistrimin. Atyre që nuk i del dëshira e parë, kanë të drejtë të çregjistrohen dhe të regjistrohen në nivelin e A2. Deri në datën 15 shtator presupozohet të mbarojë e gjithë gara”, tha Malaj.

Ditën e shtunë, Ministria e Arsimit publikon edhe Librin e Transparencës, ku çdo i ri ka mundësi të shohë zgjidhjen e ushtrimeve.

Për herë të parë këtë vit do të ketë edhe kuota të posaçme në universitete për vajzat e trafikuara, si një formë për t’i ndihmuar në procesin e rehabilitimit.

Top Channel