Misteri i avionit malajzian, protestojnë familjarët e viktimave: Gjeni të afërmit

07/08/2015 00:00

Të paktën 50 njerëz u mblodhën në protestën e organizuar para Ambasadës së Malajzisë në Pekin në Kinës. Të gjithë ishin familjarë të viktimave të avionit të rrëzuar “Boeing 777”, që deri më sot përbën misterin më të madh të njohur ndonjëherë në historinë e aviacionit civil.

Policia ndërhyri, duke mos i lejuar t’i afroheshin hyrjes së Ambasadës. Protestuesit lëshonin thirrje si “Gjeni pasagjerët!”, “Malajzia fsheh të vërtetën dhe vonon kërkimet”, e madje disa prej tyre edhe qanin për fatin e familjarëve.

“Unë dua të di çfarë ndodhi me fluturimin MH370. Kërkoj nga Qeveria, që të na japë informacione të sigurta, argumente të sakta dhe bindëse mbi ngjarjen, sepse kanë kaluar më shumë se 500 ditë tashmë”, tha një prej familjarëve të viktimave.

Protestat vijnë në një kohë kur, është konfirmuar çdo dyshim se pjesa e gjetur në brigjet e ishullit “Reunion” pranë Madagaskarit i përkiste avionit të fluturimit MH370, që bënte itinerarin nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit, në bordin e të cilit ndodheshin 239 persona.

Pas verifikimeve të ekspertëve në Francë, fusha e kërkimit është zhvendosur në një tjetër zonë të oqeanit Indian.

Top Channel