Itali, arrestohen 5 të dyshuarit e parë të tragjedisë së fundit në Mesdhe

07/08/2015 00:00

Policia italiane ka arrestuar 5 shtetas afrikano-veriorë gjatë së premtes, të cilët dyshohen për vrasje të shumëfishtë dhe trafikim të qenieve njerëzore lidhur me rastin e mbytjes së më shumë se 200 klandestinëve, duke argumentuar se ata kanë përdorur shkopinj e thika kundrejt emigrantëve.

Shumica e të vdekurve u mbajtën të bllokuar në një anije të mbipopulluar dhe të papërshtatshme për lundrim, e cila u mbyt në brigjet e Libisë gjatë së mërkurës. Policia italiane shtoi se dyshohen të jenë shumë fëmijë mes të mbyturve në tragjedinë e fundit të shënuar në detin Mesdhe.

Dy libianë, dy algjerianë dhe një tunizian, të gjithë të grupmoshës 21-24 vjeç, u arrestuan në Palermo të ishullit të Siçilisë, pasi u morën në pyetje gjatë së enjtes. Fillimisht, policia kishte identifikuar gabimisht tunizianin si shtetas libian.

Forcat blu të Italisë informuan se personat e akuzuar u kishin marrë emigrantëve klandestinë nga 1200 dollarë deri në 1800 dollarë për udhëtimin e fundit përmes Mesdheut, në varësi të vendit se ku donin të pozicionoheshin në kuvertën e anijes. Ata që mbaheshin në pjesën e poshtme paguan gjysmën e shumës së atyre që kërkonin të qëndronin mbi kuvertë.

Anija e papërshtatshme për lundrim (peshkarexhë) mbante rreth 650 persona. Anijet italiane dhe ato irlandeze shpëtuan mbi 400 emigrantë dhe nxorrën nga uji trupat e pajetë të 26 viktimave, përfshi këtu edhe 3 fëmijë. Policia mundësoi arrestimin e të dyshuarve pasi kishte biseduar me të mbijetuarit, gjatë natës që kishin mbërritur në brigjet e Palermos.

Sipas skemës së rindërtuar nga policia italiane, bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve, 3 prej të dyshuarve, pjesë e një grupi kriminal të trafikut të qenieve njerëzore me bazë në Libi, alternoheshin në drejtimin e anijes, ndërsa dy të tjerët merreshin me ruajtjen e emigrantëve klandestinë.

“Të arrestuarit dyshohen si shkaktarë të mbytjes së konfirmuar të 26 emigrantëve, si dhe mbytjes së prezumuar të mbi 200 të tjerëve, të cilët sipas dëshmitarëve ishin mbyllur në mjediset e brendshme të anijes që u mbyt”, thuhet në një deklaratë të policisë italiane.

Top Channel