Kosovë, FSK-ja përkrah KFOR-it

07/08/2015 00:00

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për herë të parë janë rreshtuar përkrah forcave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjatë momentit të ndërrimit të komandantit të përgjithshëm të KFOR-it. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që po presin të shndërrohen në Forca të Armatosura parakaluan nën komandën e gjeneralëve të KFOR-it, duke mos u dalluar nga forcat paqeruajtëse të NATO-së.

Në një ceremoni të organizuar në kampin Film City, ku morën pjesë personalitete politike, fetare, kulturore e ushtarake, komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo, ia dorëzoi komandën bashkëkombësit të tij gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta.

Figliuolo tha: “Sot, KFOR-i është dhjetë herë më i vogël se në vitin 99 dhe siguria në Kosovë dhjetë herë më e mirë. Siguria u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar në sajë të veprimeve parandaluese nga trupat tona të KFOR-it, si dhe dialogu i fuqishëm e bashkëpunimi që ne ngritëm mes palëve”.
.
E pranishme në këtë ceremoni, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se partneriteti me NATO-n ka ndihmuar Kosovën që ta ndërtojë Forcën e Sigurisë mbi standardet e NATO-s duke ndihmuar arritjen e kapaciteteve të plota operacionale: “Partneriteti ynë është rruga e suksesit. Dhe ky partneritet e ka ndihmuar Kosovën në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbi standardet e NATO-s dhe po ky partneritet i ka ndihmuar kësaj force të përmbushë kapacitetet e saj operacionale, duke e bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës të aftë për t’u shndërruar në një forcë mbrojtëse, që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës”.

Jahjaga foli edhe për luftën ndaj radikalizmit dhe sulmeve terroriste, duke thënë se vendosmëria kundër këtyre sulmeve e bën Kosovën një partner të NATO-s dhe të mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në botë: “Partneriteti ynë në rajon, në fushën e sigurisë, do të pengojë ndikimet radikale mbi qytetarët tanë dhe do të ndërpresë aktivitetet terroriste, duke e bërë gjithë Ballkanin, një vatër të stabilitetit dhe të sigurisë. Dhe prandaj Kosova dhe krahas saj edhe shtetet e tjera në rajon, përfshirë Maqedoninë, kanë treguar se janë të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit si kërcënim global”.
 
Për nder të punës që ka bërë, presidentja Jahjaga ka nderuar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, gjeneralin Francesko Paolo Figlioulu, i cili mori detyrën më 3 shtator 2014.
 
Ndërsa, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta, i cili mori drejtimin e KFOR-it, është i lindur në Leçe të Italisë, më 11 gusht 1961. Karrierën ushtarake e filloi në vitin 1977 në shkollën ushtarake “Nunziatella”  për të vazhduar më pas në vitin 1985 akademinë ushtarake.

Top Channel