Veliaj në Kashar: Liqeni i zonës, prioritet i bashkisë

07/08/2015 00:00

Pas inspektimit të linjave të autobusëve dhe thirrjes për përmirësimin e kushteve të tyre, pas ultimatumit të dhënë firmave të pastrimit për ta kthyer Tiranën deri në shtator në qytetin më të pastër në rajon, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë është përkushtuar në kthimin e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet.

E një i tillë, pas Liqenit Artificial dhe atij të Vaqarrit, do të jetë dhe Liqeni i Kasharit. Por, ambicia e Veliajt është më e madhe: “Ambicia jonë është që në fund të mandatit të kemi 5 parqe kryesore dhe një administratë të re që do të merret vetëm me parqet në Tiranë. Besojmë që qytetarët duan natyrën, gjelbërimin dhe ambientet shlodhëse”.

Nga Kashari, ku prenzantoi administratorin e kësaj njësie, Erin Çatrin, kryebashkiaku Veliaj ka bërë edhe një analizë të javës së parë të punës.

“E konsiderojmë një sukses javën e parë të punës, ku të 24 njësitë morën frenat në dorë dhe për asnjë ditë të vetme nuk patëm ndërprerje të shërbimeve klasike që kanë ofruar njësitë e pushtetit vendor”, tha Veliaj.

Top Channel