Gjermani, video sensibilizuese për azilkërkuesit. Ministria e Brendshme: Do të faturoheni edhe për kthimin

07/08/2015 00:00

Ministria e Brendshme gjermane ka publikuar një video, pamjet filmike të së cilës tregojnë sesi emigrantët nga Ballkani kanë shumë pak shanse për të fituar azil në Gjermani dhe rrezikojnë të faturohen edhe për koston e kthimit. Kjo video është publikuar me shpresën e tyre për të ndaluar fluksin e aplikantëve për azil nga Evropa juglindore.

Në vetëm katër minuta, videoja i dedikohet Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe rrëfen sesi emigrantët ulen në autobuzin e policisë, ku më pas transportohen drejt aeroportit për t’u kthyer në shtëpi. Zëri që shoqëron pamjet filmike u bën thirrje njerëzve të kenë kujdes: “Mos i besoni premtimeve që ju mund të merrni azil për arsye ekonomike në Gjermani, apo të tjerë stimuj që ju shtyjnë të merrni këtë vendim. Sepse nëqoftëse dëboheni do të merrni me vete edhe faturën për të mbuluar shpenzimet. Mos shkatërroni financiarisht as veten tuaj, as familjen tuaj për t’u “TRAFIKUAR” në Gjermani. Kontribuoni në mënyrë aktive për të ndërtuar atdheun tuaj ekonomikisht; duke përdorur njohuritë dhe aftësitë tuaja atje”.

Në gjysmën e parë të këtij viti, Kosova, Shqipëria dhe Serbia rezultuan të ishin burimet më të mëdha të aplikuesve për azil në Gjermani ose ndryshe 40% e totalit të tyre, ishte nga Ballkani. Zyrtarët janë të shqetësuar se emigrantët që vijnë nga demokracitë që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian bllokojnë edhe ata që kanë vërtetë nevojë, ku bëhet fjalë për refugjatët që vijnë nga vende të tilla si Siria apo Iraku.

Drejtori i Agjencisë së Refugjatëve në OKB, Vincent Cochetel, tha të premten se pjesa më e madhe e aplikantëve për azil nga Ballkani nuk kanë aspak nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Top Channel