Debati i Republikanëve, audiencë rekord. Performanca e Trump “frikëson” demokratët

07/08/2015 00:00

Donald Trump mund të jetë kryesues i sondazheve në garën për të fituar nominimin e republikanëve për Presidencialet e 2016-s, por debati i parë i zhvilluar ditën e enjte rezultoi si një paralajmërim se partia Republikane ka rivalë të denjë që mund ta rrëzojnë atë nga froni, e që gjithashtu mund të sfidojnë bindshëm Hillary Rodham Clintonin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Trump performoi në stilin e tij tipik gjatë debatit prej dy orësh, i njëjti stil që e ka ndihmuar atë deri më tani të lërë pas kandidatët e tjerë republikanë. Por, teksa fushata nisi zyrtarisht mëngjesin e ditës së premtes, buzëqeshja në fytyrat e këshilltarëve të kandidatëve të tjerë tregoi historinë e plotë të asaj se çfarë ndodhi në skenën e “Quicken Arena”.

Secili prej tyre u shfaq si fitimtar, ose të paktën kështu pretenduan këshilltarët e rivalëve. Gjë që tregon edhe njëherë se mburrje të tilla janë bërë të zakonshme tashmë pas një debati të zhvilluar, edhe pse një pjesë e mirë e mburrjes bazohet në realitet. Trump mund të kishte qenë në qendër të vëmendjes, por edhe të tjerët performuan po aq mirë, ose ndoshta edhe më efektivisht në përgjithësi e me shumë mundësi kanë siguruar disa votues republikanë më shumë për veten e tyre.

Prej muajsh, udhëheqësit republikanë kanë folur në lidhje me forcën e mundshme të kandidatëve të tjerë të së njëjtës parti. Si grup, kandidaturat që aspirojnë të fitojnë të drejtën për të garuar për President të Shteteve të Bashkuara, janë padyshim më me eksperiencë dhe duken më të gatshëm për një fushatë kombëtare, sesa grupi i politikanëve që synuan të rivalizonin Mitt Romneyn gjatë nominimeve për zgjedhjet presidenciale të 2012-s.

Demokratët kanë shijuar “verën” e Trumpit dhe shpresojnë që ajo të zgjasë mjaftueshëm sa për të shkaktuar dëme serioze në krahun e republikanëve. Por, pa as më të voglin dyshim, ata kanë parë mjaftueshëm gjatë mbrëmjes së të enjtes sa për të nisur të shqetësohen në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme që do të vendosin përballë Clintonin e pambrojtur e disi të prekshme përballë një prej rivalëve të Trumpit.

Të enjten, një audiencë kombëtare televizive, e cila mund të konsiderohet edhe si rekord i debateve primare, mori një pasqyrim fillestar të kandidatëve të tillë si senatori i Floridas, Marco Rubio; guvernatori i Ohios, John Kasich; guvernatori i Wisconsinit, Scott Walker; senatori i Teksasit, Ted Cruz; guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie dhe senatori i Kentuckyt, Rand Paul. Edhe ish-guvernatori i Floridas, Jeb Bush, mund të mos jetë edhe aq shumë i njohur për amerikanët, pavarësisht emrit të famshëm që mban mbi shpinë.

E megjithatë, duke qenë se në garë janë 17 kandidatë, shifrat e sondazheve në favor të Trumpit janë mbresëlënëse.

Top Channel