Vlorë, asgjësohen mbi 2200 rrënjë kanabis; aksione edhe në zona të tjera

08/08/2015 00:00

Policia e Vlorës ka asgjësuar në orët e fundit mbi 2200 rrënjë kanabis të mbjella në zona të thella të qarkut.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se bimët narkotike ishin mbjellë në fshatrat Lapardha dhe Romës.

Ato u gjetën të mbjella në 20 parcela, saktësojnë burimet, të cilat shtojnë se po punohet për identifikimin e kultivuesve.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm të zhvilluar në Kurbin, policia ka gjetur dhe asgjësuar 260 rrënjë, të mbjella në vendin e quajtur Fusha e Gurthit, e ndodhur mes fshatrave Shemri dhe Mafsheq.

Sipas burimeve të policisë lokale, bimët ishin të mbjella në 5 parcela të vogla dhe varionin nga 70 cm deri në 2 metra. Ato janë asgjësuar me anë të djegies.

Ndërsa në Kolonjë, në afërsi të fshatit Luaras, uniformat blu kanë gjetur dhe asgjësuar rreth 50 rrënjë kanabis, të cilat ishin mbjellë në vendin e quajtur Përroi i Bushit.

Top Channel