Tajfuni “Soudelour” rrafshon Tajvanin, të paktën 4 viktima

08/08/2015 00:00

Tajfuni i fuqishëm “Soudelour” është përplasur në ishullin e Tajvanit me erëra të fuqishme dhe shira të dendura, duke lënë të paktën 4 persona të vdekur.

Stuhia, me erëra që frynin deri në 230 kilometra në orë, zbarkoi në bregun lindor të ishullit në orët e para të së shtunës dhe tani po bën përshkimin e gjithë territorit.

Vërshimi ka shkulur pemë dhe ka rrëzuar stenda publicitare, si dhe ka shkaktuar rrëshqitje toke në të paktën një fshat.

Rreth 2 milionë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, shërbimet hekurudhore dhe ato ajrore janë anuluar, ndërsa të gjitha shkollat e zyrat janë mbyllur.

Stacioni meteorologjik i Taivanit deklaron se tajfuni po zhvendoset në veri-perëndim dhe gradualisht po humbet fuqinë e tij. Raportohet se mes viktimave janë edhe një vajzë 8-vjeçare dhe e ëma e saj, të cilat u rrëmbyen nga ujërat.

“Nuk kam parë kurrë një tajfun të tillë në 60 vitet e jetës sime”, tha një banor i rajonit lindor Taitung për një televizion lokal.

Në prag të mbërritjes së “Soudelourit”, autoritetet kishin evakuuar mijëra njerëz nga banesat e tyre. Stuhia pritet që më vonë të kalojë në Ngushticën e Taivanit dhe më pas të depërtojë në Kinë.

Top Channel