Blank për Di Marian: Do të na duhet në Champions

08/08/2015 00:00

Angel Di Maria është blerja më e fundit e Paris Sën Zhermen. Pas prezantimit, futbollisti argjentinas u pa në tribunën e stadiumit të Lilles nga ndoqi sfidën e PSG për javën e parë të Ligue 1, ndeshje që u fitua nga kampionët e Francës 1-0.

Trajneri Loran Blank nuk ka ngurruar të japë vlerësimet maksimale për 27-vjeçarin, duke theksuar se Di Maria do të japë një kontribut shumë të madh për Paris Sën Zhermen, sidomos në Ligën e Kampioneve.

“Synimi ynë është që të shkëlqejmë në Ligue 1, por edhe në Europë. Jam një trajner me fat, pasi tashmë kam në dispozicion shumë lojtarë të mirë dhe tani kemi edhe Di Marian. E donim me çdo kusht ta kishim atë këtu dhe ja ku është, edhe pse tratativa ishte e komplikuar dhe kërkonte të kishim më shumë durim”, ka thënë Blank.

Sipas tij,e dhe Di Maria donte të bashkohej me PSG-në “dhe unë jam i kënaqur që klubi mund të blejë futbollistë cilësorë si ai. Shpresojmë që Di Maria të rrisë akoma më shumë nivelin e skuadrës. Ai do të na duhet më shumë në ndeshjet që do të luajmë në arenën europiane”.

Top Channel