Murinjo për merkaton: Disa yje të futbollit nuk I blen dot

08/08/2015 00:00

Yjet e futbollit botëror nuk tërhiqen shumë nga kampionati anglez. Ky është opinioni i Zhoze Murinjos, i cili këtë mesjavë rinovoi kontratën me Çelsin deri në vitin 2019.

Në një konferencë për shtyp, tekniku portugez foli për aktualitetin e merkatos së transferimeve, duke deklaruar se ka klube që e kanë mundësinë për të refuzuar çdo ofertë që mund të vijë për futbollistët e tyre më të mirë.

“Janë vetëm 3 klube që mund të thonë: unë nuk shes lojtarë…dhe ata janë Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut dhe Barcelona. Në Angli, interesi për Myler ekziston, por askush nuk mund ta blejë. Po kështu edhe Messi. Të gjithë e duan, por nuk e marrin dot. Këto janë 3 klube që kanë histori, janë në gjendje shumë të mirë financiare dhe sigurojnë të ardhura të konsiderueshme. Shesin lojtarë kur dëshirojnë. Kur sheh një lojtar të largohet prej këtyre ekipeve, është sepse ai e dëshiron vetë këtë gjë”, ka thënë Murinjo.

Sipas tij, në raste të tilla ka vetëm dy rrugë: kërkimi i talenteve të reja ose i atyre futbollistëve që duan të luajnë më shumë.

“Klubet e tjera në Europë duhet të veprojnë sa më shpejt në merkato për blerjen e talenteve të reja, përpara se për ata të shfaqen tek Reali, Bajerni e Baercelona, ose të shfrytëzohen situatat e atyre lojtarëve që dëshirojnë të luajnë më shumë:, shtoi Murinjo, duke e argumentuar këtë teori të tij me emrat e Agueros dhe Hazard, në opsionin e parë, dhe të Sanchez e Fabregas për opsionin e dytë.

Top Channel