Frenimi i azilkërkuesve, Gjermania shqyrton ndalimin e udhëtimit

08/08/2015 00:00

Të 94.000 azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit që do të shpallen si të sigurta do t’u ndalohet hyrja në Gjermani nga frika e riaplikimit për azil, kërkesë që nuk do të pranohet më.

Kjo, pasi deri më sot, edhe pse u është mohuar e drejta e azilit dhe janë rikthyer në vendet e tyre të origjinës, blakanasit janë rikthyer duke ndjekur të njëjtën rrugë dhe të njëjtat procedura. Kjo po bëhet e kushtueshme edhe për shtetin gjerman, si në kohë ashtu edhe kosto financiare.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë shefi i Autoritetit të mbikëqyrjes dhe kujdesit të emigrantëve, Manfred Schmidt, në një intervistë për portalin mediatik “Die Welt”.

Schmidt pranon se për momentin Autoriteti është në krizë për shkak të procedurave të azilit, që marrin kohë, por edhe të azilkërkuesve të mohuar, të cilët janë kthyer deri në katër herë për të aplikuar, duke marrë akoma më tepër mund.

Sipas tij, Gjermania pritet që deri në fund të 2015-s të ketë mbi 450.000 aplikime për azil e deri më tani rreth 250.000 të tilla janë të papërpunuara ende, me 52% të rasteve që i përkasin 6 muajve të fundit.

Për këtë arsye, Schmidt e sheh problemin edhe tek ligji mbi azilin që daton në vitin 2013, kohë kur Gjermania kishte deri në 127.000 kërkesa për azil në vit. Ndaj, thotë ai, për t’i bërë ballë një fluksi të tillë nevojiten staf më i madh dhe procedura më strikte dhe fikse në lidhje me emigrantët.

Lajmi vjen një ditë pasi portali “Reinche Post” publikoi kërkesën e social demokratëve për kontrata pune specifike për azilkërkuesit që zotëronin një profesion dhe vinin nga vendet e Ballkanit perëndimor.

Top Channel