11 mijë pushues kanë marrë ndihmën e shërbimit mjekësor në plazhe

08/08/2015 00:00

Mbi 11 mijë pushues kanë marrë shërbim mjekësor në qendrat shëndetësore të hapura posaçërisht vetëm për sezonin turistik në zonat bregdetare që nga muaji qershor deri më tani.

“Këtu ka dy qendra shëndetësore, njëra është 24 orë dhe tjetra është me kohë të pjesshme. Shërbimi ka qenë i mrekullueshëm”, thotë një pushues në Ksamil.

Që nga muaji qershor, kur hapën qendrën shëndetësore në Ksamil të Ri dhe Ksamili të Vjetër, janë paraqitur të paktën 1000 pushues.

“Shërbimi shëndetësor në Ksamil funksionon në dy qendra, qendra shëndetësore Ksamili i Ri dhe Ksamili i Vjetër. Shërbimi është 24 orë, i mbuluar me dy mjekë dhe katër infermierë për sezonin turistik. Jemi të pajisur mirë me medikamente dhe me mjete. Fluksi ka ardhur duke u shtuar, deri në 50 në ditë”, thotë mjeku i qendrës shëndetësore të Ksamilit, Rrahim Poda.
 
Pushuesit që paraqiten në këto qendra kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të qëndrimit me orë të zgjatura në diell, që shkakton tension apo djegie dhe probleme të tiera shëndetësore që lidhen me sëmundjet kronike deri dhe ndërhyrje mikrokirurgjikale.

“Pjesa më e madhe që dominon janë rastet gastro-enteritesh , më pak janë traumat e vogla në det, më të pakta janë pickimet nga insektet në përgjithësi”, rrëfen mjekja Senada Husi.

Bregdeti i Vlorës këtë vit ka pasur qendra shëndetësore pothuajse në çdo plazh të tij. Shërbimi shëndetësor me ambulanca të lëvzishme është ofruar 24 orë edhe në plazhin e Jalës, Dhërmiut e të tjera, të cilat  frekuentohen masivisht nga pushuesit.Mjekët thonë se në këto qendra shëndetësore kanë ardhur shpesh jo vetëm pushues, por edhe banorë të zonës.

“Hera e parë që ekziston një qendër shëndetësore në Radhimë. Është hera e parë dhe jo vetëm turistët, por edhe banorët e Radhimës kanë qenë të kënaqur sepse e kanë patur më të lehtë marrjen e ndihmës mjekësore. Duke parë fluksin e pacientëve duket që është e domosdoshme sepse u lehtëson pushimet turistëve. Numri i vizitave varion, ka ditë që shkon deri në 20 persona”, thotë mjekja e qendrës së Radhimës, Alma Hasalami.

Në një ditë, në qendrën shëndetësore 24 orë të Shëngjinit marrin shërbim mjekësor afro 70 pushues.

“Ky sezon veror e gjen Shëngjinin dhe turistët të mirëmenaxhuar pjesën e shëndetit. Na është vënë në dispozicion nga spitali rajonal i Lezhës autoambulanca, e cila është në gatishmëri për të gjitha rastet urgjente për t’i transportuar në spital për ndihmë të mëtejshme”, thotë mjekja e qendrës shëndetësore të Shëngjinit.

Janë gjithsej 22 qendra shëndetësore që funksionojnë 24 orë në 7 ditë të javës, që nga Ksamili e deri në Velipojë, të ngritura posaçërisht për sezonin turistik. Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se nga 1 qershori deri në 2 gusht në të 22 qendrat shëndetësore janë ofruar  7566 vizita mjekësore, 3038 mjekime lokale, 900 ndërhyrje mikrokirurgjikale dhe 400 raste janë referuar për në spitalet rajonale.

Në secilën prej qendrave shëndetësore të hapura për këtë qëllim ofrojnë shërbim shëndetësor 2 mjekë dhe dy infermirë, të cilët përveç pagës së tyre, marrin dhe një shpërblim prej 80 mijë lekësh.

Top Channel