Lirohen 10 veteranët e UÇK-së: Do vazhdojmë protestat

08/08/2015 00:00

10 veteranët e UÇK-së, të ndaluar ditën e premte gjatë protestës para godinës së qeverisë së Kosovës, janë lënë të lirë.

Lajmin e konfirmoi për Top Channel përmes telefonit kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi.

Qeriqi ishte vetë mes personave të ndaluar. Ai tha se pasi kanë përfunduar orët e paraburgimit, Prokuroria i ka liruar me procedurë të rregullt.

I pyetur nëse do të vazhdojnë protestat, Qeriqi shtoi se do të protestojnë deri në realizimin e qëllimeve dhe të drejtave të veteranëve që u takojnë me ligj.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, ky subjekt politik vlerëson se kërkesat e veteranëve, për sa u përket listave për kontributin e tyre në luftë, janë të drejta.

“Persekutimi i veteranëve të luftës vjen në një kohë, kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve, që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pushteti, sipas VV-së, pasi ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm, përmes të cilit veteranët e luftës po kërkojnë të drejtat e tyre.

Policia e Kosovës arrestoi të premten 10 veteranë të luftës së UÇK-së, pasi gjatë protestës, siç ka konstatuar policia, ata janë treguar të dhunshëm, duke shkaktuar dëme materiale në pronën e shtetit.

Top Channel