Largohet këshilltari politik i fushatës së Donald Trump

08/08/2015 00:00

Roger Stone, njëri prej këshilltarëve politikë të fushatës së Donald Trump nuk do të jetë më në krah të miliarderit kandidat për në Shtëpinë e Bardhë.

Në mediat amerikane po qarkullojnë dy versione lajmesh, i pari që Stone ka dhënë dorëheqjen dhe i dyti që është shkarkuar.

Largimi i tij mbërrin në një kohë kur Trump është vënë në qendër të kritikave pas komenteve të cilësuara si diskriminuese ndaj moderatores së Fox News, Megyn Kelly. Miliarderi, i pakënaqur nga pyetjet e drejtuara prej saj gjatë debatit të parë mes kandidatëve republikanë tha se “asaj po i del gjak nga sytë…po i del gjak ngado”, duke nënkuptuar menstruacionet.

Ky është largimi i dytë nga stafi i Trump. Në ditët e para të gushtit miliarderi shkarkoi këshilltarin Sam Nunberg pas bërjes publike të një sërë komentesh të tij në rrjetet sociale, kundër njerëzve me ngjyrë dhe presidentit Obama.

Nunberg e quan Obamën në disa postime të tij si “kenian, panarab, marksist, mysliman, socialist, islamo-fashist dhe nazist”.

Top Channel