Thaçi, kundër idesë së Vuçiç për përkujtimin e viktimave të ish-Jugosllavisë

09/08/2015 00:00

Zëvendëskryeministri kosovar, Hashim Thaçi i kundërpërgjigjet kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sa i përket idesë së këtij të fundit për caktimin e një dite të përbashkët të përkujtimit të viktimave në konfliktin e ish-Jugosllavisë.

Shefi i diplomacisë kosovare shkruan në Facebook se, pretendimi i kreut të udhëheqjes serbe për relatizimin dhe rishkrimin e historisë dhe barazimin e atyre, që nxitën, organizuan dhe kryen gjenocid, me ata që u mbrojtën në vendin e vet, nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit.

“Pajtimi duhet t’i shërbejë së ardhmes dhe jo politikës ditore e spektakleve mediatike”, shkruan Thaçi në llogarinë e tij në rrjetin social.

Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se, në Konferencën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, do të propozojë të caktohet një ditë e përbashkët e përkujtimit të viktimave në konfliktin e ish-Jugosllavisë.

Top Channel